Të shtëna në një aheng familjar në Prishtinë, Policia sekuestron një armë

Policia e Kosovës e ka shoqëruar në Polici një të dyshuar dhe e ka sekuestruar një armë, pas raportimit për të shtëna në një aheng familjar sonte në Prishtinë.

Policia thotë se sonte rreth orës 19:00 kanë pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Aleks Buda” në kryeqytet,

“Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e stacionit policor Veriu, të cilët kanë sekuestruar një armë dhe kanë shoqëruar personin e dyshuar F.Z, mashkull, i cili kishte shtënë gjatë një ahengu familjar”- thuhet në njoftim.

Sipas Policisë, ndaj personit të dyshuar është iniciuar rast për armëmbajtje pa leje.

“Nisur nga fakti se akoma është prezent si dukuri, përdorimi i armëve të zjarrit në ahengje të ndryshme, strukturat operative rajonale të policisë po vazhdojnë punën për parandalimin e kësaj dukurie”- thekson Policia.

Mbështetur mbi këtë bazë, Policia ka apeluar tek të gjithë qytetarët që tu shmangen veprimeve të tilla për arsye të sigurisë së tyre, sigurisë së të tjerëve dhe ceremonitë festive t’i kalojnë pa ndonjë incident.