Takimi Kurti- Mustafa, ambasadorët e Quint-it largohen nga ndërtesa e Kuvendit

Ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, janë larguar nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohet që prej më shumë se 2 orësh takimi mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të LDK-së.

Ambasadorët dhe shefja e Zyrës së BE-së janë larguar pa u deklaruar lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në takimin në të cilin ishin ftuar nga Albin Kurti.

Ambasadori britanik, Nicholas Abbot, tha shkurt se “ne nuk përzihemi” kur u pyet se cilat ishin këshillat e tyre në takimin e sotëm.

Albin Kurti e Isa Mustafa janë takuar sërish sot në përpjekje për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ndërsa LDK e dyta.

Që nga shpallja e rezultateve, të dy partitë kanë nisur negociatat për dakordimin e planprogramit qeverisës, për të cilin ishin pajtuar pothuajse 100 për qind, por arritja e marrëveshjes ka mbetur peng i ndarjes së pozitave të larta shtetërore.