Tahiri para seancës për 7 Marsin: Kryeministri t'i lë fjalimet e bukura, duhet t'i rrisë pagat e mësimdhënësve

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, para fillimit të seancës së jashtëzakonshme në nder të 7 marsit – Ditës së Mësuesit, ka deklaruar se mësimdhënësit presin dy vendime dhe jo fjalime të bukura.

Tahiri në një konferencë për media tha se mësimdhënësit presin që ligji i pagave të hyjë në fuqi, si dhe shtesat.

“Sot mbi 23 e 550 mësimdhënës parauniversitar, të cilët kanë një rrogë mesatare prej 470 euro presin nga kjo seancë solemne që e ka thirrë kryeministri Kurti, dy lajme. Lajme për ditën dhe datën se kur do të hynë në fuqi ligji i pagave dhe presin, nëqoftëse paska pasur 10% rritje ekonomike, shtesen që ata duhet marrë nga shteti në këtë shtrenjtim të madh. Nëqoftëse nuk ka një komunikim të tillë, dhe kjo seancë kthehet në seancë formale, me fjalime të bukura, atëherë ky është një mashtrim i radhes. Kryeministri duhet t’i leje fjalimet e bukura, të thura mirë, duhet të marrë vendime, të rritë paga e të gjithë mësimdhënësve”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca të jashtëzakonshme. Njëra prej seancave të jashtëzakonshme do të organizohet për shënim të 7 marsit, ditës së mësuesit.

Kjo seancë pritet të fillojë në ora 12:00.