Sveçla: Policia parandalon sulm terrorist, gjen makinë me armatim, mjete eksplozive e municion

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Policia e Kosovës ka parandaluar një sulm terrorist pasi në një makinë me targa të Beogradit afër Komunës së Zveçanit është gjetur sasi e madhe armatimi mjete eksplozive e municione të ndryshme.

“Sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”- është shprehur Sveçla.

Sipas tij, këto mjete kishin qëllim të përdoren për sulme ndaj qytetarëve e institucioneve.

“Të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”- shtoi tutje ai.

Sipas tij, ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga institucionet e sigurisë së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake.