Sveçla: Ka dëshmi për pjesëmarrjen e Milan Radojçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se është gjetur një dokument për leje për armë e Milan Radojçiq, që sipas tij, dëshmojnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në aksionin e djeshëm.

“Nuk ka të bëjë asgjë me organizmin AD Hoc, në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të Milan Radojçiq i cili është edhe në listën e zezë të SHBA-së, që dëshmojnë pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejt në këtë aksion. Kjo është edhe një listë e armëve që ai i posedon”.

“Ai është nënkryetar i Listës Serbe, e cila është e bashkërenduar me Aleksandar Vuçiq, harta e planit është më e qartë se kurrë. Disa pjesëtarë të kësaj liste që janë identifikuar janë pjesë e Severna Brigada dhe Civilna Zashtita, dy organizata këto tashmë të shpallura terroriste nga qeveria. Nga kjo sasi armatimi shohim se se ka pasur plan për përfshirje të qindra personave për destabizilim”- ka thënë Sveçla.

Sveçla tha se ka edhe armë të vitit 2021 nga Qeveria e Serbisë, të cilat sipas tij, Serbia i ka shfrytëzuar këta “kriminelë për politikat e saj hegjemoniste”.

“Koha e pandëshkueshmërisë ka kaluar dhe integriteti dhe sovraniteti janë gjëra për të cilat nuk bëjmë kompromis” – tha ai.

Radojçiq është në “listën e zezë” të SHBA-së.

Radojçiq është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Organet e rendit zyrtarisht kanë konfirmuar se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Prova të reja, pajisje e materiale janë gjetur e konfiskuar në orët e fundit nga vendi i ngjarjes në të cilin për orë të tëra gjatë ditës së djeshme pati  shkëmbime me armë zjarri mes një grupi terrorist dhe Policisë se Kosovës.