Konferenca për media e kryeminsitrit Albin Kurti dhe ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla për situatën në veri, 7 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

Sveçla: Aktualisht situata është e qetë, po përkushtohemi të adresojmë çdo sfidë që mund të paraqitet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se situata e sigurisë në vend aktualisht është e qetë dhe se si qeveri janë të angazhuar për ruajtjen e sigurisë publike, pazh zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

“Aktualisht situata është e qetë dhe përkushtimi është maksimal të adresojmë do sfidë që mund të paraqitet. Si Qeveri e Kosovës jemi zotuar se do të angazhohemi për sundim të ligjit ofrim të rendit dhe sigurisë pa dallim etnie moshe e gjinie në të gjithë territorin”- ka deklaruar Sveçla.

Sveçla ka thënë se asnjë aksion i Policisë së Kosovës nuk ka qenë i drejtuar ndaj ndonjë etnie të caktuar.

“Asnjë aksion i Policisë së Kosovës nuk ka qenë asnjëherë i drejtuar në etni të caktuar, veçanërisht jo ndaj etnisë serbe siç është propaganduar dhe po vazhdon edhe tani. E vetmja përkatësi që e kemi luftuar dhe po e luftojmë është ajo e krimit, kontrabandës dhe korrupsionit”- tha Svecla.

Ministri ka theksuar se Qeveria ka marrë vendim të ligjshëm lidhur me konvertimin e  targave dhe sipas tij MPB-ja ka ngritur të gjitha kapacitetet për lehtësimi e këtij procesi.

“Qeveria e Kosovës ka marrë vendime tërësisht të ligjshme lidhur me targat ilegale me qëllim të shtrirjes së ligjshmërisë dhe sovranitetit brenda Kosovës. Si MPB përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi kemi ngritur kapacitetet tona që të jemi në shërbim të qytetarëve tanë gjatë këtij procesi duke përfshirë edhe krijimin e të gjitha lehtësive për ta bërë sa më të thjeshtë pajisjen me targat RKS”- u shpreh ministri.

“Nuk është hera e parë që Serbia përdorë strukturat kriminale për terrorizimin e qytetarëve sa herë që ata janë përgjigjur pozitivisht vendimeve të vendit. Që nga viti 2011, që kur ka nisur procesi i konvertimit të targave janë djegur 56 automjete të qytetarëve serb. Nga qershori kur është marrë vendimi ku kemi pas 5 vetura të djegura”- shtoi ai.

Ai ka thënë se rastet e djegieve janë bërë për shkak që siç tha ai, të kërcënimit dhe frikësimit të masës.

“Një rast i kontinjerit, një stallë dhe një pjesë e shtëpisë. Keto veprime janë bërë për shkak që kanë kthyer targat në RKS. Janë organizuar me qëllim të frikësimit të masës dhe kërcënimit”- tha Sveçla.

Në lidhje me qortimin për vozitësit e automjeteve me targa ilegale, ministri Sveçla tha se deri më tani nuk është raportuar asnjë incident, ankesë apo mos pranim i fletëqortimit.