Supremja lë në liri edukatoret e dyshuara për keqtrajtimin e fëmijës në çerdhen e Fushë Kosovës

Gjykata Supreme i ka lënë të mbrohen në liri dy edukatoret e çerdhes “Gëzimi ynë”, N. M. dhe N. H., të cilat sipas Prokurorisë e kishin keqtrajtuar fëmijën N. N., në mëngjesin e 15 shtatorit të këtij viti.

Kjo gjykatë më 12 tetor të këtij viti ka vlerësuar se vendimet e Themelores dhe e Apelit, për caktimin dhe vërtetimin e caktimit të masës së paraburgimit duhet të ndryshohen dhe të njëjtat të lirohen nga paraburgimi.

“Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe kërkesës së mbrojtësit të të pandehurës për mbrojtje të ligjshmërisë, vlerësoi se aktvendimet e kundërshtuara (Themelore dhe e Apleit) duhen ndryshuar dhe e pandehura duhet liruar nga masa e paraburgimit…” – thuhet në dosjen e Gjykatës Supreme të siguruar nga Kallxo.com.

Të njëjtat kishin qenë nën masën e paraburgimit deri më 19 tetor të këtij viti, sipas dosjes së Prokurorisë, e ndaj kësaj mase kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur avokati Muharrem Kurtaj, i cili e përfaqëson të pandehurën N. M.

Kolegji i cili mori aktgjykimin për ndërprerjen e kësaj mase përbëhet nga Mejreme Memaj – kryesuese, Afrim Shala dhe Rasim Rasimi – anëtarë.

Të njëjtit vlerësuan se kërkesa e avokatit mbrojtës është e bazuar, pas shqyrtimit të lëndës.

Ky kolegj vendosi edhe për të pandehurën N. H., e cila nuk i ishte drejtuar Supremes me kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Edhe përkundër faktit se e pandehura N. H. nuk ka ushtruar kërkesë, kjo gjykatë vlerësoi se arsyet për të cilat ka marr vendim në dobi të pandehurës N. M., që nuk janë të natyrës personale shkojnë në dobi edhe të të pandehurës tjetër, e cila nuk ka parashtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, gjykata konform nenit 397 të KPRK-së (beneficium kohaecionis) vendosi edhe për këtë të pandehur, si në dipozitiv të këtij aktgjykimi”- thuhet në dosjen e Supremes.

Si e ka arsyetuar Supremja vendimin e saj?

Sipas Supremes, prokurori nuk ka arritur të bëjë përshkrimin e provave që mbështesin dyshimin e bazuar se ka rrezik të ikjes dhe përsëritjes së veprës për të cilat ka kërkuar caktimin e paraburgimit.

Tutje nga shkresat e lëndës supremja ka vlerësuar nuk rezulton asnjë rrethanë konkrete e argumentuar se me gjetjen e të pandehurave në liri, ato do të mund të arratisen.

Kjo gjykatë mori parasysh moshën e tyre, fakti se janë familjare, e ju dihet vendbanimi e identiteti.

“Pastaj, nuk argumentohet as fakti se me gjetjen e tyre në liri do të mund të përsërisin veprën penale, aq më pak kur ato janë suspenduar nga vendi i punës dhe nuk kanë histori kriminale”- thuhet në arsyetimin e kësaj gjykate.

Si i kishte përshkruar prokuroria veprimet e edukatoreve mëngjesin e 15 shtatorit?

 Sipas dosjes së Prokurorisë të siguruar nga Kallxo.com, e pandehura N. M. akuzohet se ka tërhequr zvarrë për krahë fëmijën deri tek tavolina e ushqimit për të tentuar ta ulte, ku shkon edhe e pandehura tjetër N. H. e cila e kap me forcë për krah, e tërheq lart dhe e dërgon në banjon e çerdhes.

Më këtë, Prokuroria konsideron se është fyer dinjiteti i fëmijës në sytë e gjithë fëmijëve tjerë.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, pasi e kishin futur nga dera e banjos, e kanë goditur me duar në kokë me ç’rast i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Lidhur me dëmtimet që i ka pësuar, ka edhe një raport të ekzaminimit klinik të ekspertit të Mjekësisë ligjore i bërë pas 4 ditësh nga ngjarja kritike, përshkruhet në aktakuzën e përfaqësuar nga prokurori Arianit Salihu.

Për këto veprime, të pandehurat ngarkohen me veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, par. 3.1 lidhur me par. 1 pika 1.4 të Kodit Penal dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 195 lidhur me par. 1 të këtij Kodi.

Ky rast ishte parë si i hiperbolizuar nga avokati i të pandehurës N. M., Bajram Zogiani, i cili kishte thënë se nuk ka pasur zvarritje të fëmiut, por ka qenë vetëm një ndalesë.

“Kjo çështje është duke u hiperbolizuar, duke u zmadhuar për së tepërmi, së pari nga mediat mandej edhe nga personat tjerë, veçanërisht prindërit e fëmijës” – kishte thënë avokati.

Lidhur me këtë rast, kishte reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Nagavci ishte shprehur thellësisht e shqetësuar për këtë rast, kurse Haxhiu kishte thënë se përmes Departamentit të Politikave të Shërbimeve Sociale dhe Familjare, do të ofrojë mbështetjen e nevojshme, për interesin më të mirë të fëmijës dhe familjes.

Për rastin i cili ngjalli shumë reagime në publik, lidhur me ushtrimin e dhunës ndaj një fëmije 3-vjeçar në çerdhen “Gëzimi ynë” nga edukatoret e këtij institucioni, prokuroria ka finalizuar dyshimet e saja duke ngritur aktakuzë.

Aktakuza e ngritur më 3 tetor të këtij viti, përshkruan veprimet me të cilat dy edukatoret, N. M. dhe N. H. kanë keqtrajtuar fëmijën N. N., në mëngjesin e 15 shtatorit, e për të cilat të njëjtat nuk e kanë pranuar fajësinë para prokurorisë.

Dhuna ndaj fëmijës në çerdhen e Fushë Kosovës, Aktakuzë ndaj edukatoreve