Peter Stano

Stano: Qasja jonë është e balancuar, ndaj Kosovës u morën masa pasi nuk u soll në mënyrë evropiane

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se përfaqësuesi i lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, e ka pranuar letrën e nënshkruar nga 56 diplomatët ndërkombëtarë.

Ai në një konferencë për media tha se BE-ja merr vendimet me unanimitet të 27 shteteve anëtare sa i përket politikës së jashtme dhe se Borrell sa herë pranon një letër reagon nëpërmjet kanaleve të duhura.

“Kur është puna tek çështja e ngritur nga 56 nënshkruesit, mund të them vetëm se politikat e BE-së janë formuar në unanimitet me ato të 27 shteteve anëtare, ashtu siç kanë vendosur qeveritë e tyre. Kemi me mijëra parlamentarë në BE, kështu që pozicionet dhe veprimet e BE-së janë të përcaktuara nga vendimet e qeverive të 27 shteteve”- ka deklaruar Stano.

“Sa i përket dialogut dhe çështjeve që lidhen me Kosovën dhe Serbinë, BE-ja është ndërmjetësues për të ndihmuar të dyja palët të arrijnë kompromiset e nevojshme në mënyrë që të normalizojnë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit”- shtoi ai.

Stano ka thënë se BE ka vendosur masa ndaj Qeverisë së Kosovës për shkak “të paaftësisë së autoriteteve kosovare që të sillen në mënyrë evropiane”, teksa shtoi se nëse shtetet anëtare të Unionit Evropian vendosin “atëherë do të vendosim masën e nevojshme kundër Serbisë”.

“Ajo që kemi bërë së fundmi, nën dritën e eskalimit, është vendosja e disa masave të caktuara ndaj Kosovës, për shkak të paaftësisë së tyre që të fillojnë të sillen në mënyrë evropiane dhe të shtensionojnë situatën dhe të ndërmarrin hapa të konsiderueshëm për shtendosje”- ka deklaruar Stano.

“Nëse shtete anëtare të BE-së vendosin, atëherë do të vendosim masën e nevojshme kundër Serbisë nëse 27 shtetet anëtare deklarojnë se në situatën aktuale, në kontekstin aktual të kësaj krize të fundit Serbia nuk po bën gjithçka për të shtendosur situatën”- theksoi Stano.

Zyrtari i BE-së u shpreh se qasja e tyre është e balancuar dhe se të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varen nga mënyra se si palët po sillen nën kushtet për të shtensionuar situatën

“Qasja jonë është e balancuar, natyrisht të gjitha masat janë të kthyeshme dhe varen nga mënyra se si palët po sillen nën kushtet për të shtensionuar situatën dhe për të lëvizur përpara për t’iu kthyer në normalitet procesit të dialogut”- tha Stano.

Më tej, Stano tha se BE pret nga të dyja palët që të kenë sjellje evropiane dhe të gjejnë një zgjidhje evropiane, pasi sipas tij, Kosova dhe Serbia dëshirojnë t’i bashkohen BE-së.

“E kemi thënë shumë herë kur kemi diskutuar të gjitha aspektet e ndryshme të sfidave të dialogut dhe çështjet që lidhen me të, se ajo çka BE-ja pret nga të dyja palët është një sjellje evropiane, dhe gjetja e një zgjidhje evropiane sepse në fund të fundit të dyja dëshirojnë t’i bashkohen BE-së. Kanë deklaruar se integrimi evropian është prioritet kështu që ne do i lëmë tek këto deklarata dhe të sillen në mënyrë evropiane”- ka thënë Stano.

“Të sillen në mënyrë evropiane është të sillesh në mënyrë konstruktive në shtensionim, të qenit në gjendje të arrish kompromiset e nevojshme dhe gjetjen e konsensusit  dhe ky është mesazhi që ne jemi duke përcjellë, ditë pas dite, javë pas jave, e muaj pas muaji, sidomos në këtë kontekst aktual të krizave konstante dhe natyrisht këto kriza nuk janë shkaktuar nga Be si ndërmjetësues. Ato janë shkaktuar nga mënyrat se si partnerët kanë vendosur të zgjedhin në mënyrë që të arrijnë çfarëdo qëllime që ata mund të kenë, por që nuk po i ndihmon në rrugëtimin evropian”- përfundoi ai.

Të hënën, deputetja britanike Alicia Kearns, ka publikuar letrën të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, diplomatit britanik, James Cleverly.

Në letër është kërkuar “balancë dhe proporcionalitet në bashkëveprimin me Kosovën dhe Serbinë”, teksa është theksuar se“Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen Qeverisë të mërkuren , e ka vlerësuar këtë letër si zhvillim pozitiv për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.

“U jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politik që janë bashkuar të kësaj thirrje të përbashkët dhe mirëpresim secilën nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na forcon përkushtimin tonë për shtensionim të situatës në katër komunat në veri, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri e kushtetutshmëri”- theksoi ai.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar të gjithë nënshkruesit për mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës.

“Falënderoj të gjithë nënshkruesit për mbështetjen e tyre të fuqishme për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës. Së bashku, ne do të ruajmë vlerat tona të përbashkëta dhe do të forcojmë demokracinë!”-ka shkruar ajo në twitter.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe organizuan protesta, të cilat kulmuan me dhunë më 29 maj në Zveçan, me ç’rast u lënduan dhjetëra protestues dhe ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.