Stano: Nëse e sheh të arsyeshme, BE-ja mund të vendosë masa edhe ndaj Serbisë

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano ka thënë se BE-ja dënon sulmin që e quajti terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit të dielën, përderisa shton se situata duhet të shtensionohet dhe përmes dialogut të gjendet një rrugëdalje nga krizat konstante.

Stano nuk specifikoi nëse BE-ja do të ndërmarrë masa ndaj Serbisë, por që sipas tij, nëse 27 shtetet anëtare e shohin ndonjë arsye, ata do të vendosin masa edhe ndaj Serbisë.

“BE-ja ka një pozicion të qartë, masat e prezantuara ndaj Kosovës, në kundërpërgjigje të paaftësisë së një pale të binden pritshmërive për shtensionim. Kemi thënë që në fillim që BE-ja ishte e qartë që këto masa janë të përkohshme dhe ose mund të zvogëlohen, varësisht zhvillimeve, apo të rriten. Tashmë ato janë aplikuar ndaj Kosovës dhe BE-ja ka qenë e qartë që nëse 27 shtetet anëtare shohin ndonjë arsye ata gjithashtu do të vendosin masa edhe ndaj Serbisë”- deklaroi Stano.

“Kur vie çështja tek situata me të vërtetë e tensionuar dhe e rrezikshme në veri të Kosovës, theksojmë nevojën për të ndërmarrë hapa për shtensionim. Në ngjarjet specifike të djeshme nuk është nevoja të përsëris dënimet më të forta nga BE-ja për sulmet terroriste të tmerrshme që ndodhën ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”- shtoi ai.

Zëdhënësi i BE-së tha se duhet të gjendet një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme dhe të kthehen në zgjidhjen normale përmes dialogut.

“Ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga krizat e vazhdueshme dhe të kthehemi në zgjidhjen normale përmes dialogut, sepse shtensionimi është i nevojshëm urgjentisht dhe është nevoja për shtensionim është theksuar edhe dje, edhe javë më parë madje edhe muaj më parë. BE-ja ishte shumë e qartë kur vie tek pritshmëritë nga njëra palë dhe tjetra se çka duhet të bëjnë në mënyrë që të kontribuojnë në de-eskalim dhe përfundimisht të fillojnë një rrugë të dialogut normal  ku ne nuk kemi të bëjmë me kriza të rrezikshme siç i kemi parë tani”- është shprehur Stano.

Ai tha se hetimet për incidentet e djeshme janë në zhvillim dhe se sipas tij po bëhen qartësimet e të gjitha fakteve dhe të hollësive “të sulmit të tmerrshëm terrorist.”

“Hetimet për ditën e djeshme janë në zhvillim, ka ende sqarime të vazhdueshme për të gjitha faktet dhe detajet pas këtij sulmi të tmerrshëm terrorist dhe prapa fakteve dhe fajtorëve janë përcaktuar qartë të identifikuara dhe do të përmbahemi për të komentuar zhvillime të caktuara të ditës së djeshme”- tha Stano.

Ndërkaq për një takim të mundshëm të nivelit të lartë, Stano tha se përfaqësuesi i lartë i BE-së, Borrell do t’i ftojë palët në Bruksel kurdo që është e përshtatshme.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku u vra, një u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Sveçla: Përveç armëve e autoblindave kemi gjetur plane dhe harta të grupit terrorist