Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale (SLS).

Slobodan Petroviq jep dorëheqje nga drejtimi i SLS-së

Slobodan Petroviq ka dhënë dorëheqje nga pozita si kryetar i Partisë së Pavarur Liberale (SLS), raporton Kossev.

Ai është dorëhequr në mbledhjen e fundit të komitetit të përgjithshëm të SLS të mbajtur më 28 janar, i cili më pas vendosi për një pezullim të aktiviteteve politike në periudhën e ardhshme.

Sipas një deklarate të SLS-së, Petroviq theksoi se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë marrë shumë vendime të vështira, por ky sipas tij ka qenë më i vështiri deri më tani.

Siç citohet përmbajtja e deklaratës së partisë, Petroviq i ka falënderuar të gjithë anëtarët e Partisë Liberale të Pavarur (SLS) për përkushtimin, përkrahjen dhe besimin e tyre deri më tani, duke u kërkuar atyre “të kuptojnë seriozitetin e situatës politike në kohën kur u mor ky vendim”.

Sidoqoftë, nga kjo parti nuk u njoftua asnjë arsye specifike për dorëheqjen.

Petroviq, mes tjerash ka thënë se “ai dhe anëtarët e SLS kurrë nuk i kanë parë kundërshtarët e tyre politikë si armiq, dhe me këtë rast u shpreh mirënjohjen e tij edhe atyre, sepse ata motivuan punën e suksesshme të SLS”.

Komiteti i përgjithshëm i kësaj partie, për shkak të rrethanave dhe pamundësisë së SLS për të funksionuar me kapacitet të plotë, vendosi për pezullim të aktivitetit politik në periudhën e ardhshme.

SLS është themeluar me 21 janar të vitit 2006 në Graçanicë, ndërsa Petroviq  ka qenë në detyrë për 14 vjet.

Gjatë karrierës së tij politike, ai ka shërbyer si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës gjatë dy mandateve (2007-2010, 2015-2017) dhe si zëvendëskryeministër dhe ministër për Pushtetin Lokal (2011-2014), si dhe ka qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

SLS ka pasur rezultatet më mira, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 kur fitoi 8 vende, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare të 6 tetorit 2019, kjo parti nuk arriti ta sigurojë asnjë ulëse në legjislativ.

Në janar të vitit të kaluar Slobodan Petroviq në një intervistë për BIRN-in kishte thënë, se Serbia po përdor agjencitë e saj të sigurisë për t’i frikësuar rivalët e partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Listës Serbe.

Slobodan Petroviq akuzon Serbinë për frikësim