Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale (SLS).

Slobodan Petroviq akuzon Serbinë për frikësim

Slobodan Petroviq tha për BIRN se Serbia po përdor agjencitë e saj të sigurisë për t’i frikësuar rivalët e partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Listës Serbe.

Politikani serb i Kosovës, Slobodan Petroviq, ka akuzuar Serbinë për përdorimin e organeve të sigurimit shtetëror për të frikësuar rivalët, si ai vetë, të një partie serbe të Kosovës që mbështetet nga Beogradi.

Në tri raste në dhjetor dhe janar, Petroviq, i cili udhëheq Partinë Liberale Serbe, SLS, dhe dy kolegët e partisë u ndaluan dhe u morën në pyetje nga ata që Petroviq tha se ishin oficerë të agjencisë serbe të sigurisë “BIA” në kalimin kufitar të Merdarë midis Serbisë dhe Kosovës.

Petroviq u ndalua më 8 dhjetor, zëvendëskryetari i tij i partisë dhe zëvendësministri i Rinisë dhe Sporteve Boban Stankoviq u ndalua më 2 janar, ndërsa më 10 janar e njëjta gjë ndodhi me Nebojsha Jakovleviq, anëtar i Partisë së Pavarur Liberale dhe këshilltar i lartë në Ministrinë e Kosovës Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Të tre u liruan pas disa orësh intervistim.

“Në të tri rastet, procedura ishte plotësisht identike”, tha Petroviq në një intervistë për BIRN.

“Nuk më vjen keq që shërbimet (e sigurisë) bëjnë punën e tyre, por gjithashtu pres ndonjë shpjegim përse po e bëjnë këtë dhe kush i urdhëroi ata të keqtrajtojnë njerëzit”, tha ai.

“Secili prej nesh është i gatshëm t’i përgjigjet çdo thirrjeje nga policia, zyrës së prokurorisë dhe gjykatës nëse ata kanë nevojë për këtë”, shtoi Petroviq.

BIRN i shkroi Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe BIA-s për të kërkuar një përgjigje, por nuk mori asnjë përgjigje.

Spekulimet mbi postet e Listës Serbe

Partia e Pavarur Liberale e Petrovia ka vetëm një deputet në parlamentin e Kosovës, por shihet si rivali kryesor “Listës Serbe”.

Lista Serbe ka 9 deputetë në parlament, por ka bojkotuar mbledhjet e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj që nga marsi 2018, kur drejtuesi i Kosovës i Serbisë, Marko Gjuriq u arrestua nga policia e Kosovës në qytetin verior të Mitrovicës.

Megjithatë, Lista Serbe nuk ka hequr dorë nga benefitet e posteve të kabinetit, të cilat përfshijnë tre ministra dhe një zëvendës kryeministër. Ekzistojnë spekulime në Kosovë dhe Serbi se ministrat serbë të Listës Serbe mund të shkarkohen, duke i zëvëndësuar ata me kandidatët e Partisë së Pavarur Liberale.

I pyetur nëse partia e tij ishte e gatshme të merrte postet e listës serbe, Petroviq tha se nuk do ta bënte këtë “me çdo kusht”.

Kosova, e cila ka një shumicë shqiptare prej afërsisht 90 për qind, shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pothuajse një dekadë pas një lufte ajrore të NATO-s e cila dëboi forcat serbe të akuzuara për vrasjen dhe dëbimin e civilëve në një luftë brutale kundër kryengritjes.

E mbështetur nga vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por është nën presion për të zgjidhur marrëdhëniet me Kosovën nëse dëshiron të bëjë përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Petroviq përshkroi gjendjen e dhjetëra mijëra serbëve në Kosovë si “të vështirë dhe të pasigurt”.

“Megjithatë, gjatë katër deri pesë viteve të fundit, situata është përkeqësuar ndjeshëm kur bëhet fjalë për mbijetesën e serbëve”, tha ai. “Njerëzit e shesin pronën e tyre çdo ditë dhe familje të tëra largohen. Padrejtësia dhe ndarja po vrasin këta njerëz”.

Petroviq tha se faji është në Beograd.

“Beogradi, si kurrë më parë, na ka ndarë midis atyre që mendojnë njëjtë dhe atyre që mendojnë ndryshe. Për shembull, ata që ndryshojnë me Listën Serbe janë tradhtarë, madje edhe qytetarë të klasit të dytë”, tha ai.

I pyetur për një zgjidhje potenciale për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi, Petroviq, i cili është i lindur në Kosovë, tha se gjëja më e rëndësishme ishte që serbët e Kosovës të mbeteshin dhe ta jetonin jetën e lirë, normale.

“Kjo do të thotë se për mua çfarë do të ishte e pranueshme është çdo zgjidhje që lejon këtë dhe në të cilën ekziston një marrëveshje mes Beogradit, Prishtinës dhe serbëve të Kosovës, të cilët askush nuk pyet asgjë tani”, tha ai.

I pyetur nëse kjo mund të nënkuptojë pranimin e pavarësisë, Petroviq u përgjigj: “Kjo është pyetje për Vuçiqin”.