Skenderaj, bie nga objekti ku po punonte, 60-vjeçari nuk u mbijeton plagëve

Një 60-vjeçar në Skenderaj ka humbur jetën pasi nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra pas rënies nga një objekt.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, ka thënë se ai kishte rënë nga një objekt në ndërtim e sipër rreth orës 16:00, derisa po punonte.

”Rreth orës 16:00, është raportuar se në rrugën ”Ahmet Delia” në Skenderaj, nga një objekt në ndërtim e sipër është rrëzuar dhe ka pësuar lëndime viktima (punëtor) i moshës rreth 60 vjeçar, i njëjti me urgjencë është dërguar në QKUK” – ka treguar Zahiti.

Vdekja e 60-vjeçarit është konstatuar në QKUK rreth orës 20:30.

“Ndërsa rreth orës 20:30, nga QKUK është njoftuar se i lënduari-viktima R.R., 60 vjeçar, ka vdekur. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion”, thuhet tutje në njoftimin e Zahitit./Telegrafi