Foto: KALLXO.com
Skender Hyseni e quan ‘skandal politik...’ refuzimin e Lumir Abxhikut për takim me presidentin e Shqipërisë
Skender Hyseni nga LDK ka kritikuar liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, i cili ka refuzuar takimin në Kuvendin e Kosovës me presidentin e ri të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në postimin e Hysenit thuhet se, Abdixhiku ka pretenduar se presidenti Begaj duhet të shkonte në selinë e LDK-së për takim, e që sipas Hysenit, kjo shpërfaq ego infantile politike.
“Pretendimi idhnak i Abdixhikut se Presidenti shqiptar duhej të shkonte në selinë e LDK-së për takim, shpërfaq një ego infantile politike të të parit të LDK-së. Pa dashur të futem në detajet e protokolit, më duhet të konstatoj se Abdixhiku me krekosjen e tij, paska shkaktuar një skandal politik e diplomatik tërsisht të panevojshëm në komunikimet aq të rëndësishme ndërshqiptare” – ka shkruar Hyseni.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës është seli, e përtej selie e çdo partie politike parlamentare në Kosovë” – shton ai.
Më tej, Hyseni ka përmendur se Abdixhiku kishte shkuar në takim me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, jo në Kuvendin e Kosovës por, në hotelin ku ky i fundit po qëndronte.
“Shtrohet pyetja, përse z. Abdixhiku nuk u bë po aq “ i madh”, me rastin e vizitës së Presidentit të Malit të Zi të cilin, më 19 maj 2022, shkoi ta takonte, madje jo në Kuvend të Kosovës por në hotelin Swiss Diamond?” – ka thënë Hyseni.
Në ditën e dytë të vizitës së tij, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj është takuar me liderë të partive politike në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, Begaj kishte zhvilluar takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe me kryeministrin, Albin Kurti.