Sinan Vllasaliu sërish në gjyq për shmangie tatimore, në mungesë të raportit nga ATK seanca shtyhet për në shtator

I akuzuari Sinan Vllasaliu është paraqitur edhe një herë tjetër në Gjykatën e Prishtinës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë për shmangie tatimore.

Për këto akuza Vllasaliu ishte deklaruar i pafajshëm.

Mospërpilimi i raportit final nga ATK lidhur me këtë rast bëri që seanca gjyqësore të shtyhet për në shtator.

Prezent në Gjykatë ishte përfaqësuesi ligjor i Administratës Tatimore të Kosovës, Rinor Arifi,  i cili tha se pas kërkesës së Gjykatës që të përpilohet një raport final nga ATK lidhur me këtë rast, ka kërkuar nga inspektori tatimor, Fidan Tolaj, të përpilohet raporti në fjalë.

Arifi ka cituar Tolajn, i cili, sipas tij, ka thënë se procesi ka qenë në fazën për marrëveshje për pranim të fajësisë dhe se në këtë situatë prokurori në atë kohë kishte ndërprerë përpilimin e raportit final, duke aluduar se po shkohet në marrëveshje për pranim të fajësisë.

I pyetur nga gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica se a ka siguruar raportin final,  Arifi tha: “Po, kam kërkuar dosjen dhe më është dorëzuar kopja origjinale. Gjatë shfletimit të së njëjtës nuk kam gjetur raport final të hetimit, arsye se pse s’është ky raport sigurisht do t’i japë kolegu im, inspektori tatimor”.

Prokuroria u deklarua se edhe pse raporti final nuk u prezantua si provë, qoftë raporti fillestar apo përfundimtar nga ATK-ja, ishte propozimi i Prokurorisë që të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit Fidan Tolaj.

Arifi kërkoi nga Gjykata që dëshmitari i Prokurorisë Fidan Tolaj të ftohet për të dëshmuar në këtë rast.

Propozim të cilin Gjykata e aprovoi duke caktuar që seanca e radhës për këtë rast të mbahet më 21 shtator të këtij viti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.