Caktohet ekspertizë financiare në rastin ku disa pronarë të bizneseve po akuzohen për shmangie tatimi

Gjykata në Ferizaj ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar propozimin e mbrojtjes së të akuzuarve, që të përpilohet ekspertizë financiare në rastin ku disa pronarë të bizneseve po akuzohen për shmangie tatami.

Ekrem Hyseni e Valdete Hyseni- Fazliu akuzohen për shmangie nga tatimi kurse Dushan Vasiq, Herolind Elezi e Shaban Ismajli akuzohen që kanë përdorur dokumente të rrejshme lidhur me tatimin dhe me këtë e kanë ndihmuar shmangien tatimore.

Të akuzuarit nuk kishin pranuar fajësinë për veprat që ju vihen në barrë.

Ishte propozimi i mbrojtjes së të akuzuarve që paraprakisht si provë të përpilohej një ekspertizë financiare duke kërkuar që të konstatohet se a kanë qenë bizneset e regjistruara, të shikohet nëse kanë pasur certifikata aktive si dhe të konstatohet nëse kanë pasur transaksione të realizuara mes kompanive në fjalë.

Po ashtu përmes kësaj ekspertize financiare mbrojta kërkon që të konstatohet nëse nga këto transaksione ka shmangie nga tatimi dhe eventualisht lartësinë e shmangies tatimore.

Procesi gjyqësor ndaj të pandehurve ndodhet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Të pranishëm në gjykatore pos Afrim Sadikut ishin edhe dëshmitarët Hisni Elezi dhe Nuhi Hoxha. Dëshmitarë të cilët nuk patën rastin për t`u dëgjuar, pas kërkesës që e kishte prokurori Avdullah Abedini.

Arsyeja del të jetë prezenca e tyre në seancën e datës 26.07.2023, seancë në të cilën ishte dëgjuar Murat Mehmeti, hetues në Administratën Tatimore të Kosovës.

Përndryshe pas kërkesës së prokurorisë gjykimi vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Afrim Sadiku, i cili kishte punuar si menaxher i shitjes që nga viti 2012-2017 në fabrikën “Newco Mulliri Fabrika e Bukës”. Pronar i kësaj kompanie sipas dëshmitarit ishte Dardan Bibaj.

Në pyetjen e prokurorit Abedini drejtuar dëshmitarit se a kishte takuar ndonjëherë tashmë të akuzuarin Ekrem Hyseni gjatë kohës sa kishte punuar aty: “Me Ekremin jam takuar, jo në lidhje me punë, kanë ndodhë takime shumë të rralla në ambientin e punës”- u përgjigj Sadiku.

Sadiku pohoi të ketë njohur edhe të akuzuarin tjetër në këtë rast Nenad Bojkanoviq, i cili tha se e kishte parë në shumë raste në ambientin e fabrikës.

Sadiku tha se e di që i akuzuari Herolind Elezi me profesion është kontabilist dhe se me të njëjtin ka raporte shoqërore pasi që e ka shok gjenerate.

Kujtojmë që Emisioni “Jeta në Kosovë” kishte transmetuar një hulumtim disamujor rreth një skandali multimilionësh në ATK.

“Jeta në Kosovë” në vitin 2016 publikoi serinë prej 3 emisioneve në këtë temë, duke e ekspozuar skemën e vjedhjes së organizuar dhjetëra milionëshe me fatura fiktive nga biznese fiktive.

Kjo skemë u ekspozua nga Murat Mehmeti, sinjalizuesi që foli në serinë e parë të emisioneve të BIRN-it pasi që ATK, EULEX, Prokuroria dhe Policia kishin dështuar të merrnin masa pas dëshmive që Mehmeti i dha në gjitha këto institucione.

Kur rasti u bë publik dhe fitoi çmimin si njëri prej 3 hulumtimeve më të mira të vitit 2016, Prokuroria filloi të mobilizohej dhe Murati së fundmi u paraqit si dëshmitar në Gjykatën e Ferizajit.

Hulumtimi i jashtëzakonshëm i KALLXO.com në fund kishte rezultuar me ngritje të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në pjesën e parë të emisionit për ‘’Vjedhjet e Organizuara Tatimore’’, Murat Mehmeti kishte rrëfyer se si kanë arritur disa biznese të udhëhequra nga një kontabilist t’u ikin pagesave tatimore duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Kosovës në vlerë miliona euro.

Pjesa e dytë e trilogjisë së emisionit ‘’Jeta në Kosovë’’ i ishte kushtuar skemës së evazionit fiskal të cilën e kishte zbuluar Mehmeti.

Pas këtij zbulimi Mehmeti është përballur me presione dhe transfere në punën e tij. Ndërsa në pjesën e tretë të këtij hulumtimi ishte transmetuar një pasqyrë edhe më e gjerë e funksionimit të Administratës Tatimore të Kosovës.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, e cila është ngritur më 5 maj 2020, 6 persona janë të akuzuar. Të akuzuarit janë: Ekrem Hyseni, pronar i “Bibaj” Sh.P.K. me seli në Ferizaj, Valdete Hyseni- Fazliu, pronare e biznesit “Bibaj-ae” Sh.P.K. me seli në Graçanicë,  Dushan Vasiq, pronar i biznesit “Invest-plast” Sh.P.K.,  Nenad Bojkoviq, pronar i biznesit “P.P. DMD”, Herolind Elezi, pronar i biznesit “Koto-lind” Sh.P.K. dhe Shaban Ismajli, kontabilist.

Aktakuza thotë se Ekrem Hyseni në cilësinë e pronarit të biznesit “Bibaj” Sh.P.K., gjatë viteve 2012, 2013 dhe 2014 ka bërë transaksione, në fakt pagesa fiktive, duke bërë blerje e shitje fiktive me qëllim të shmangies nga tatimi.

Sipas prokurorisë, këto blerje e shitje fiktive janë bërë me bizneset “P.P. D.M.D”, “Metal Pro” dhe “Simonida”.

Sipas aktakuzës, shmangia nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe tatimi mbi të ardhurat e korporatës është bërë në vlerë prej rreth 455,208.10 euro.

Tutje sipas prokurorisë, i njëjti ka shmangur pagimin e tatimit për biznesin “Newco Mulliri Fabrika e Bukës” Sh.P.K. në shumën prej rreth 39,676.00 euro.

Valdete Hyseni- Fazliu akuzohet nga Prokuroria se gjatë vitit 2015, 2016 e deri në fund vit të 2017, në cilësinë e pronares së biznesit “Bibaj-AE” Sh.P.K., ka bërë shmangie tatimore përmes transaksioneve fiktive.

Në aktakuzën e prokurorisë thuhet se këto transaksione fiktive janë bërë prej kompanisë “Invest-Plast” Sh.P.K. pa blerë mallra. Shmangia e tatimit mbi vlerën e shtuar si dhe tatimit mbi të ardhurat e korporatave nga e pandehura, sipas prokurorisë vlerësohet të jetë në vlerë prej 532,568.67 euro.

Tutje si i akuzuar në dosjen e Prokurorisë figuron të jetë edhe Dushan Vasiq, i cili akuzohet se ka kryer veprën penale dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin.

I pandehuri Vasiq, sipas aktakuzës ka lëshuar fatura tatimore të rrejshme për kompaninë “Bibaj AE”  me qëllim që biznesi i specifikuar t’i shmanget detyrimeve tatimore dhe i ka ndihmuar këtij biznesi në përfitime jo të rregullta tatimore në vlerë të shtuar dhe tatim mbi të ardhurat e korporatave.

Kurse Herolind Elezi akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale – dokumente të rrejshme. Akti akuzues i Prokurorisë specifikon se vepra penale është kryer gjatë gjithë pesë viteve 2012-2017.

Elezi si pronar në biznesin “Konto- Lind” Sh.P.K. akuzohet se në cilësinë e kontabilistit, për përfitime qoftë për vete apo për të tjerët ka lëshuar dokumente të rrejshme.

I pandehuri akuzohet se ka plotësuar deklarata tatimore për biznesin “P.P D.M.D”, pa pasur autorizimin e pronarit të kësaj kompanie. Pagesat në anën tjetër janë kryer nga pronari i kompanisë “Bibaj” Sh.P.K., Ekrem Hyseni.

Pronar i kompanisë “P.P D.M.D” është Nenad Bojkoviq, për të cilin lënda është veçuar.

Kurse Shaban Ismajli gjatë vitit 2015 deri më 2017 si përfaqësues i biznesit N.T.Sh “Petriti Consulting”, në cilësinë e kontabilistit, akuzohet nga prokuroria se me qëllim të përfitimit për vete dhe për të tjerët ka lëshuar dokumente të rrejshme tatimore. Ismajli ka plotësuar dhe dorëzuar deklarata tatimore të biznesit “Invest-Plast”, pronë e të pandehurit Dushan Vasiq. Ismajli sipas aktit akuzues thuhet të ketë qenë në dijeni lidhur me transaksionet fiktive.

Me këtë veprim Ismajli akuzohet se ka kryer veprën penale ndihma në kryerjen e veprës penale – dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin.

Lidhur me vjedhjet tatimore të këtyre viteve u hetuan edhe zyrtarë të ATK-së ndaj të cilëve edhe u ngrit aktakuzë në 2016, por aktakuza nuk u vërtetua në gjykatë.