Sinan Vllasaliu i akuzuar për shmangie tatimore - (foto 21.09.2023)

Si u informua ATK-ja përmes postimeve në rrjetet sociale se Sinan Vllasaliu do të këndonte në klubet jashtë vendit?

Fidan Tolaj, inspektor tatimor i ATK-së, gjatë dëshmisë së tij ka treguar për hetimet dhe inspektimet e Administratës Tatimore, subjekt i të cilave kishte qenë këngëtari Sinan Vllasaliu, i cili po gjykohet për shmangie tatimore.

Dëshmitari i ftuar nga Prokuroria tha se në periudhën kohore 2015-2016 subjekt ka qenë i akuzuari Vllasaliu për shmangiet tatimore që kanë të bëjnë me periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2015.

Sipas Tolajt, çdo e hyrë, qoftë brenda apo jashtë vendit, duhet të deklarohet në ATK, madje edhe në rastet kur tatimet janë kryer në vendet e tjera subjekti duhet të sjellë dëshmi për këtë.

Në këtë rast, sipas Tolajt, Vllasaliu nuk e ka sjellë asnjëherë dëshminë se të hyrat i ka deklaruar në Amerikë, ani pse, sipas tij, ai kishte premtuar se do e sillte dëshminë.

“Po ka qenë i obliguar ta deklarojë në Kosovë çdo të hyrë  që e merr brenda vendit dhe ato jashtë vendit por në qoftë se ndonjë shtet jashtë vendit ia ka mbajtur tatimin ose ka paguar tatim për ato të hyra, për shembull rasti në Amerikë, atëherë i akuzuari si çdo tatimpagues tjetër duhet të sjellë dëshmi nga shteti përkatës se tatimi është paguar në atë vend. Me sa më kujtohet, kur e kemi intervistuar e kemi pyetur pikërisht për këtë dhe i njëjti ka thënë se do i sjellë dëshmitë por nuk i ka sjellë asnjëherë, prandaj edhe ne i kemi trajtuar si të ardhura me burim nga jashtë dhe janë tatimuar ato”- tha dëshmitari.

Tolaj tha se ATK kishte siguruar informata nga postimet në rrjetet sociale të disa klubeve jashtë vendit që organizonin mbrëmje muzikore se tashmë i akuzuari do të merrte pjesë aty si këngëtar.

“Prej klubeve brenda dhe jashtë shtetit janë marrë nga postimet e klubeve që i kanë bërë në rrjetet sociale, disa klube e di që janë vizituar/inspektuar edhe prej Policisë së Kosovës ndërsa për jashtë shtetit nuk kemi pasur informacione përpos postareve që i postojnë”- shtoi tutje dëshmitari.

Në pyetjen e mbrojtësit të Vllasaliut, Florent Latifaj, se a e ka ditur ATK se sa është paguar i mbrojturi i tij nëse ka kënduar në klubet jashtë vendit, dëshmitari tha se prej krejt informacioneve që i kanë marrë kanë marrë një mesatare dhe janë bazuar edhe në deklaratën e tij kur është intervistuar.

“I njëjti ka deklaruar se diku rreth 2,000-2,500 euro, këtë mesatare e kemi marrë, pastaj ato publikime që janë bërë, i kemi llogaritur që janë marrë 2,000 euro në natë”- u përgjigj dëshmitari.

Tolaj shtoi tutje se është e pamundur të verifikohen të gjitha klubet ku ka pasur postim se do të marrë pjesë për të kënduar Sinan Vllasaliu.

Dëshmitari tregoi se raporti final i ATK-së për këtë rast nuk është përpiluar pasi nga zyra menaxheriale e ATK-së kishin pranuar një njoftim se prokuroria dhe i pandehuri kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie.

Për këtë rast gjykata e udhëhequr nga Naime Krasniqi- Jashanica aprovoi propozimin e mbrojtësit të Vllasaliut, Florent Latifaj që të bëhet një ekspertizë financiare me qëllim që të caktohet saktë nëse ka ekzistuar shmangia apo jo, si dhe të caktohet saktë vlera e shmangies tatimore.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu, Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.