Valon Aliu, i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e vëllait të saj 15-vjeçar është sjellë para gjykatës (13.04.2024), Foto: KALLXO.com

Sillet në gjykatë i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares në Ferizaj (VIDEO)

Me pranga, i shoqëruar nga dy zyrtarë policorë, Valon Aliu, i dyshuari për vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e 15-vjeçarit te objekti i Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, është sjellë në Gjykatën e Ferizajt për caktimin e masës së sigurisë.

Prokuroria tashmë ka kërkuar masën e paraburgimit për 30 ditë për të dyshuarin, i cili u arrestua më 12.04.2024, pasi fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur.

Pas vrasjes së 21-vjeçares, është thirrur protestë nga aktivistë dhe anëtarë të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist. Ata kanë njoftuar se protesta do të mbahet më 15.04.2024, në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:30.

Në thirrjen e tyre për protestë nga Kolektivi e kanë konsideruar vrasjen e 21-vjeçares si vrasje që ka ndodhur “në sytë e shtetit”, e që sipas tyre, vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta.Për shkak të kësaj gjendje, ata konsiderojnë se të gjithë duhet të ngriten në këmbë kudo, për të kërkuar nga shteti që ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare.

“Ky rast i femicidit është duke treguar që vajzat dhe gratë në Kosovë nuk janë askund të sigurta. Ato dhunohen e vriten në shtëpi, në strehat e shtetit, në rrugë e në spitale, pa mbrojtje e pa siguri nga shteti. Femicidi dhe lufta që iu është shpallur grave duhet të na revoltojë të gjitha/ë dhe të na ngrisë në këmbë shesheve dhe rrugëve në Prishtinë e kudo për të kërkuar që shteti me të gjitha strukturat e saj t’iu dalë në krah vajzave dhe grave dhe ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare” – kanë shkruar në thirrjen e protestës nga Kolektivi.

Më tej, Kolektivi ka vlerësuar se teksa vajzat dhe gratë janë duke luftuar me këtë sistem me jetën e trupat e tyre, të cilin e kanë quajtur “vdekatar”, ata nuk mund të qëndrojnë të qetë e të vazhdojnë jetën me ritme normale.“Ne duhet të dalim nga shtëpitë, zyret, punishtet, klasët e mësimit e kafenetë dhe ta denoncojmë e sfidojmë rendin patriarkal që po ushqen dhunë të përditshme ndaj vajzave dhe grave dhe femicid.

Ne thërrasim në revoltë dhe demonstratë gjithëpopullore, këtë të hënë në sheshin “Zahir Pajaziti” duke filluar nga ora 17:30. Të hënën e çdo ditë tjetër luftojmë për sigurinë tonë dhe të çdo vajze dhe gruaje në Kosovë. Luftojmë që asnjë grua të mos frikësohet, dhunohet a vritet” – kanë theksuar nga Kolektivi.

Sipas informacioneve të KALLXO.com, dyshohet se gjatë një takimi në mes dorasit dhe viktimës në QPS, ai ka shkrepur armën në drejtim të viktimës dhe për pasojë ajo ka vdekur, ndërsa një person tjetër që mbeti i plagosur, është duke u trajtuar në Spitalin e Ferizajt.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është shprehur i tronditur në lidhje me vrasjen e 21-vjeçares dhe plagosjen e një 15-vjeçari në Ferizaj.

Edhe sipas Aliut viktima dhe dorasi po merrnin shërbime në QPS.

“Të tronditur thellë, morëm lajmin se pak minuta më parë, një bashkëqytetare e jonë është qëlluar për vdekje nga ish bashkëshorti i saj derisa dorasi ka plagosur edhe vëllain e viktimës. Viktima dhe dorasi po merrnin shërbime pranë Qendrës për Punë Sociale në Ferizaj, derisa dorasi ka shtënë mbi viktimën dhe vëllain e saj si dhe ka kërcënuar me armë edhe punonjësen e këtij institucioni” – ka shkruar Aliu, në profilin e tij në Facebook, më 12.04.2024.

Lidhur me arrestimin e të dyshuarit nga Policia, Aliu ka përgëzuar Policinë e vendit dhe pret që institucionet e drejtësisë t’i japin dënimin e merituar të dyshuarit.

E tronditur me këtë rast është shprehur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se ky krim duhet të marrë dënim maksimal.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon ashpër këtë krim që po përsëritet.

“Nuk kemi pse presim që t’i dijmë detajet: e dënojmë ashpër këtë krim që po përsëritet. Edhe një grua e vrarë mizorisht nga tyta e armës që ekzekuton nga afërsia. Një grua e Kosovës e vrarë nga një vrasës burrë. Zemërimi dhe neveria bëjnë garë përbrenda secilit qytetar të Kosovës sot. Qytetarja e shtetit tonë të pavarur në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj u qëllua për vdekje” – ka shkruar kryeministri Kurti, në profilin e tij në Facebook më 12.04.2024.

Për vrasjen e 21-vjeçares ka reaguar edhe misioni i OSBE në Kosovës. Nga OSBE janë shprehur më 12.04.2024 se janë të tmerruar dhe të pikëlluar me këtë rast, të cilit i janë referuar si femicid.

Si rezultat i kësaj, Misioni ka njoftuar se do të vazhdojnë të punojnë me partnerët e tyre për ta luftuar dhunën në baza gjinore dhe atë në familje.

21-vjeçarja e vrarë dhe i dyshuari për vrasjen, ish-bashkëshorti i saj 36-vjeçar, sipas burimeve të KALLXO.com kanë një fëmijë 1-vjeçar.