Foto: KALLXO.com

Si po ecën procesi i verifikimit të votave nga Diaspora?

Që nga fillimi i javës në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës ka filluar të bëhet verifikimi i votave të diasporës.

Gjatë gjithë javës, janë verifikuar më shumë se 35 mijë vota të diasporës të cilat kanë ardhur përmes postës.

Pas verifikimit të këtyre zarfeve të dërguara me postë, gjatë ditës së sotme zarfet të cilat janë klasifikuar si të vlefshëm nga mbikëqyrësit e KQZ-së janë rikontrolluar nëse emrat përputhen me listën e qytetarëve të cilët kanë aplikuar brenda afatit për votim.

Fletëvotimet janë konsideruar si të vlefshme vetëm nëse aplikuesit janë regjistruar suksesshëm në periudhën e aplikimit për regjistrim dhe nëse ka dërguar një kopje të dokumentit identifikues valid.

Ky proces pritet të vazhdojë edhe gjatë vikendit në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, dhe me përfundimin e tij fletëvotimet pritet të procedohen për numërim.

KALLXO.com ka monitoruar në vazhdimësi procesin e verifikimit të votave të diasporës, ku ka raportuar edhe për disa parregullsi, si pështjellim i pakove me aplikimet për viza të qytetarëve të Kosovës me zarfet me vota nga Diaspora.

Më herët KALLXO.com raportoi se rreth 3,700 zarfe me vota të serbëve nga Kosova të shpërngulur në Serbi, shumica e tyre të shkruar me ngjyrë të njëjtë, kanë ardhur nga Serbia në Kosovë, por ende nuk dihet nëse do të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të shkuar në numërim.

Këta zarfe nga Serbia në Kosovë, të cilat do të duhej të vinin me postë sikurse edhe votat e diasporës, kanë ardhur në Kosovë nën shoqërimin e Policisë.

Ngriten dyshime për zarfet me vota të sjella nga Serbia

KALLXO.com po monitoron në vazhdimësi procesin e verifikimit të votave të diasporës, i cili po bëhet në Ministrinë e Infrastrukturës.

KALLXO.com gjatë monitorimit ka marrë vesh se zarfet të cilët kanë ardhur nga Serbia, kanë ardhur përmes doganës dhe nën shoqërimin e policisë, pa kaluar përmes rrugëve postare.

Pse ka ndodhur kjo gjë nuk ka ende një shpjegim konkret.

Në lidhje me këto zarfe ka reaguar edhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se këto zarfe janë sjellë në mënyrë të fabrikuar nga MUP-i i Serbisë në bashkëpunim me disa institucione të Kosovës.

”KQZ duhet t’i anulojë këto pako të sjella në mënyrë kriminale dhe ta njoftojë prokurorinë ta hetojë këtë veprim antiligjor dhe antikushtetues. Mijëra mërgimtarëve po nga KQZ u është vështirësuar dërgimi i zarfeve me fletëvotime duke u vendosur procedura absurde, derisa pakot e fabrikuara në zyret e MUP-it të Nishit vijnë të përcjella përmes doganës nga policia e Kosovës pa kaluar fare përmes rrugëve postare”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij është e pa pranueshme që institucionet shtetërore e qeveritare (dogana, policia) të veprojnë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga ana e KQZ-së, se pse ka ndodhur kjo, por deri në publikim e këtij teksti, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.