Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR). Foto: KQZ

Ngriten dyshime për zarfet me vota të sjella nga Serbia

Rreth 3,700 zarfe me vota të serbëve nga Kosova të shpërngulur në Serbi, shumica e tyre të shkruar me ngjyrë të njëjtë, kanë ardhur nga Serbia në Kosovë, por ende nuk dihet nëse do të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të shkuar në numërim.

Këta zarfe nga Serbia në Kosovë, të cilat do të duhej të vinin me postë sikurse edhe votat e diasporës, kanë ardhur në Kosovë nën shoqërimin e Policisë.

KALLXO.com po monitoron në vazhdimësi procesin e verifikimit të votave të diasporës, i cili po bëhet në Ministrinë e Infrastrukturës.

KALLXO.com gjatë monitorimit ka marrë vesh se zarfet të cilët kanë ardhur nga Serbia, kanë ardhur përmes doganës dhe nën shoqërimin e policisë, pa kaluar përmes rrugëve postare.

Pse ka ndodhur kjo gjë nuk ka ende një shpjegim konkret.

Në lidhje me këto zarfe ka reaguar edhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se këto zarfe janë sjellë në mënyrë të fabrikuar nga MUP-i i Serbisë në bashkëpunim me disa institucione të Kosovës.

”KQZ duhet t’i anulojë këto pako të sjella në mënyrë kriminale dhe ta njoftojë prokurorinë ta hetojë këtë veprim antiligjor dhe antikushtetues. Mijëra mërgimtarëve po nga KQZ u është vështirësuar dërgimi i zarfeve me fletëvotime duke u vendosur procedura absurde, derisa pakot e fabrikuara në zyret e MUP-it të Nishit vijnë të përcjella përmes doganës nga policia e Kosovës pa kaluar fare përmes rrugëve postare”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij është e pa pranueshme që institucionet shtetërore e qeveritare (dogana, policia) të veprojnë në kundërshtim me kushtetutën e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga ana e KQZ-së, se pse ka ndodhur kjo, por deri në publikim e këtij teksti, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.