Foto: KALLXO.com

Nis numërimi i votave të diasporës, ekspozohen zarfet e fletëvotimeve

Numërimi i votave që kanë ardhur me postë në Kosovë ka filluar sot nga ora 18:00 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Këto vota i takojnë rundit të dytë të zgjedhjeve lokale që janë mbajtur më 14 nëntor.

KQZ ka vendosur që dërgesat me fletëvotime të ekspozohen para mediave, duke i ruajtur të dhënat personale të votuesve, pasi ka pasur pretendime se shkrimi në zarfe është i njëjtë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media tha se kanë 1 mijë e 571 zarfe të supozuara me fletëvotime, ndërsa numri i zarfeve të individualizuara është 2 mijë e 658, prej të cilave janë aprovuar 2 mijë e 379, ndërsa janë refuzuar 279 pako pasi nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore.

“Në QNR do të numërohen 2,379 fletëvotime që u takojnë zgjedhjeve të rundit të dytë në 19 nga 21 komuna ku është mbajtur ky rund”, tha ai, duke shtuar se procesi i numërimit do të përmbyllet brenda disa orësh.

Votat të cilat janë duke u numëruar i përkasin 19 komunave ku është mbajtur rundi i dytë i zgjedhjeve lokale.

KQZ kishte kërkuar hetim dhe verifikim të personave që kanë votuar nga diaspora, pasi që dyshohet se në disa nga zarfet është përdorur shkrimi i njëjtë.

KALLXO.com kishte pranuar informacione se në komunat Dragash, Mamushë e Junik ka numër të madh të votave me postë duke i krahasuar me numrin e verifikuar të votuesve. Në këto zarfe fotografitë të cilat i ka siguruar KALLXO.com shihet se të njëjtat janë me shkrim të njëjtë dhe nga adresa e njëjtë.