2,379 vota nga diaspora, Juniku më shumti vota, Drenasi më së paku (DOKUMENT)

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë aprovuar 2 mijë e 379 vota nga jashtë Kosovës.

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së e ka konfirmuar për KALLXO.com se gjatë ditës së martë, 16 nëntor, do të fillojë numërimi i fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor.

“Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës. Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako.  Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, tha Elezi.

Sipas Elezit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që sa më shpejt që është e mundur të fillojnë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

KALLXO.com ka shkruar se votat e diasporës në dy komuna mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultateve preliminare dhe përcaktuesin e fituesit të zgjedhjeve.

Komuna e Junikut dhe Komuna e Dragashit, janë dy komunat të cilat kanë rezultat të ngushtë, në të cilin mund të ndikojnë votat e diaporës.

Kurse komuna me më së paku vota të diasporës është Komuna e Drenasit me vetëm 5 vota.

KALLXO.com ka analizuar edhe rezultatet e votave të diasporës në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 2021.

Sipas rezultateve të numërimit të votave jashtë Kosovës nga QNR-ja më 24 tetor, subjekti që më së shumti ka fituar vota në total të të gjitha komunave ishte Lidhja Demokratike e Kosovës me 3 mijë e 158 vota.

Pas LDK-së është renditur Lëvizja Vetëvendosje me 2 mijë e 692 vota, e treta sipas rezultateve del Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 1 mijë e 482 vota si dhe e katërta është renditur Partia Demokratike e Kosovës me 1 mijë e 198 vota.