Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si ndryshojnë numrat në Fushë-Kosovë me votat e diasporës

Enver Bajçinca i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë shumicën e votave të diasporës në garën për kryetar të Komunës së Fushë-Kosovës. Kjo ka bërë që të zbutet diferenca me Burim Berishën e LDK-së dhe rrjedhimisht të ulë shanset e këtij të fundit që garën për kryetar ta fitojë pa balotazh.

Pa votat e diasporës, Berishës i mungonin 14 vota për të arritur 50% + 1 votë.

Ndërsa, pas numërimit të votave të diasporës, diferenca është thelluar dhe tash Berishës i duhen 63 vota për të shmangur balotazhin.

Nga mbi 9 mijë e 610 vota të aprovuara nga fletëvotimet e ardhura me postë, 80 prej tyre ishin për komunën e Fushë-Kosovës.

Dhe, nga këto 80 vota më së shumti ka marrë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca, (49). Pas tij vjen Burim Berisha i LDK-së me 13, Rrahim Tërnava i PDK-së me 11 dhe Hasan Ismajli i AAK-së vetëm 2 vota.

Ndërsa, sipas rezultateve të KQZ-së për votat e rregullta Burim Berisha në zgjedhjet e 17 tetorit ka fituar 7,842 vota (apo 49.96 për qind), Enver Bajçinca 3,997 vota (apo 25,33 për qind), Rrahim Tërnava 3,514 vota (apo 22.39 për qind) dhe Hasan Ismajli 365 (apo 2,33 për qind).

Pas numërimit të votave të diasporës kjo është situata: Burim Berisha 7,855 vota (apo 49.8 për qind), Enver Bajçinca 4,026 (apo 25.52 për qind), Rrahim Tërnava 3,525 vota (apo 22.35 për qind) dhe Hasan Ismajli 367 vota (apo 2.33 për qind).

Ndërsa, sipas KQZ-së nesër do të numërohen edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta.