Si e kanosi policin me kallash i shumëkërkuari Ridvan Ademi

Ridvan Ademi së bashku me vëllanë e tij R. Ademi, janë arrestuar nga hetuesit policor.

Rdivan Ademi është arrestuar të shtunën, ndërsa vëllai i tij gjatë ditës së djeshme.

KALLXO.com ju sjell disa detaje në lidhje me arrestimin dhe kërkimin e të njëjtëve.

Ridvan Ademi e vëllai i tij po dyshohen se kanë kryer veprat penale kanosje, posedim të armës pa leje si dhe asgjësim të pasurisë.

KALLXO.com mëson se më 16 janar 2022, muajin e kaluar Policia kishte pranuar një informacion për rrahje në progres në një lagje ne Podujevë.

Ankuesi kishte lajmëruar policinë se Ridvan Ademi dhe vëllai i tij i kishin dëmtuar veturën dhe ishin larguar në drejtim të panjohur.

Tutje siç mëson Kallxo.com, rrugës për në stacionin policor ku do të merrej edhe dëshmia e ankuesit, një veturë me ngjyrë hiri ndalon veturën e ankuesit.

Ankuesi ka qenë në përcjellje edhe të policisë për ta dërguar në stacion.

Pasi e kishin ndaluar të dyshuarit ankuesin që kishte njoftuar policinë, nga një veturë kishte dalë shefi i ndërrimit të cilin dyshohet se Ridvan Ademi e ka kërcënuar me kallashnikov.

“Nëse e nxjerr armën të vras, dhe të të takoj e nuk të lëshoj”, pretendohet t`i ketë thënë Ridvan Ademi, shefit të ndërrimit më 16 janar 2022 në orët e hershme të mëngjesit.

Pas kësaj ngjarje Ridvan Ademi dhe vëllai i tij sipas një raporti që ka siguruar KALLXO.com ishin larguar me nxitim nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Policia ka njoftuar se dy netë më parë fillimisht ishte arrestuar Ridvan Ademi dhe ishte dërguar në ndalim për 48 orë.

Vëllai i të njëjtit ishte paraqitur në polici dhe kishte dorëzuar edhe kallashnikovin që dyshohet se ishte përdorur në kanosjen e lartpërmendur ndaj policit.

Edhe i vëllai i Ridvanit është dërguar në ndalim për 48 orë.

KALLXO.com raportoi në lidhje me ngjarjen.

Arrestohet Ridvan Ademi dhe vëllai i tij