Arrestohet Ridvan Ademi dhe vëllai i tij

Gjatë mbrëmjes së 19 shkurtit të këtij viti janë arrestuar dy persona në rrugën “Nuhi Gashi” në Podujevë.

KALLXO.com mëson se të arrestuarit janë Ridvan Ademi dhe vëllai i tij.

Ademi, 32 vjeçar, ishte nën kërkim për kanosje, mbajtje në pronësi të armës pa autorizim si dhe për asgjësim të pasurisë, vepra këto që dyshohet të kenë ndodhur më 16 janar 2022 në Podujevë.

Lidhur me rastin e lartpërmendur është arrestuar edhe i dyshuari tjetër 28-vjeçari R. A. (vëllai i Ridvan Ademi).

Për Ademin kjo nuk është hera e parë që po arrestohet.

Ai ishte arrestuar edhe më 11 korrik të 2019 nga autoritetet belge pasi që i njëjti ishte i kërkuar nga Policia e Kosovës.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar asokohe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Pas arrestimit, autoritetet belge i kishin gjetur Ridvan Ademit dokumentacion edhe të një vendi tjetër.

“Pas një bashkëpunimi profesional ndërmjet Policisë së Kosovës dhe autoriteteve belge në Belgjikë është arrestuar një person i dyshuar, ku të njëjtit i janë gjetur në posedim dokument identifikimi të një shteti tjetër, prandaj në bashkëpunim aktiv me autoritetet janë verifikuar të gjitha rrethanat përfshirë edhe ekzaminimet e nevojshme për përcaktimin e identitetit të saktë konform procedurave ligjore”, kishte thënë zëdhënësi i Policisë.

Ademi dyshohet se është anëtari i tretë i grupit të grabitësve të dyshuar, që përbëhet nga Leutrim Latifi e Kastriot Shala.

Këta tre persona, Kastriot Shala, Leutrim Latifi e Ridvan Ademi, dyshohen për një numër të grabitjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

KALLXO.com në shtator të 2020 kishte pranuar informacione se të dyshuarit për grabitje ishin liruar nga paraburgimi.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për të arrestuarin e parë nga ky grup, Leutrim Latifin.

Ai ishte arrestuar në shkurt të 2019-ës nga autoritetet malazeze e më pas ishte ekstraduar në Kosovë.

Tre muaj më vone, më saktësisht në maj të 2019-ës Policia kishte njoftuar se kishte arrestuar edhe personin tjetër të kërkuar për disa grabitje në Prishtinë, Kastriot Shalën.

Policia e Kosovës vazhdimisht kishte kërkuar bashkëpunimin nga ana e qytetarëve për të zbuluar vendndodhjen e Leutrim Latifit dhe Kastriot Shalës.