Seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogajt
Shtyhet gjykimi ndaj Shaban Gogajt, sot pritej të dëshmonte bashkëshortja e Agonis Tetajt
Shaban Gogaj i akuzuar për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt në vitin 2018 u soll edhe një herë tjetër para gjykatës për t’u përballur me akuzat që rëndojnë mbi të.
Përpos Gogajt, prezent në gjykatore kësaj radhe ishte edhe bashkëshortja e të ndjerit Arbesa Cacaj e cila përfaqësohej nga mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmeti.
Ky i fundit me të filluar gjykim ku priteshin që të dëgjoheshin dëshmitarët e propozuar nga prokuroria, kishte një propozim për gjykatën që të shtyje gjykimin pasi që është hera e parë që kanë marrë kërkesën për përfaqësim dhe të njëjtit nuk janë të pajisur me shkresa të lëndës.
“Ne absolutisht nuk jemi të njoftuar me asnjë shkresë të lëndës për këtë lëndë, unë nuk e di madje as aktvendimin e apelit dhe i propozoj gjykatës që kjo seancë gjyqësore të shtyhet deri sa ne të pajisemi me shkresat e lëndës. Ftesën e kemi marrë para tri katër dite, aty shkruan data 10 kur është ekspedu nuk e di.., ka qenë një afat i shkurt për t’i kërkuar shkresat për ta bërë të qartë se për çfarë lënde bëhet fjalë”- tha Mehmeti.
Këtë propozim të mbrojtësit të viktimave e kundërshtoi mbrojtësi i të akuzuarit Gogaj, Besnik Berisha, kurse prokurori Isuf Sadiku e mbështeti propozimin e mbrojtësit të viktimave.
“Për këto arsye meqenëse nuk ka prova të reja e dëshmitar të ri, marrë parasysh se secili nga dëshmitarët qoftë këta qoftë ata nga seancat e kaluara, janë dëgjuar në gjykimin paraprak në prezencën e palës së dëmtuar, gjykatës me respekt i propozojmë që të refuzoj propozimin për shtyrje për shkak se kjo jo vetëm që e dëmton mbarëvajtjen e këtij procesi por në fakt është tërësisht e panevojshme dhe asnjëherë nuk mund t’i kontribuoj drejtësisë për të cilën jemi të gjithë këtu”- tha avokati Berisha.
Kurse pala e dëmtuar, Arbesa Cacaj tha se dje ishte njoftuar se Mehmeti do të jetë prezent në sallë.
Në këto rrethana gjyqtarja Violeta Husaj Rugova e aprovoi propozimin e mbrojtësit të viktimave kurse seancën e sotme u shty, kurse seanca e paraparë për nesër është anuluar.
Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur me 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë.
I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.
Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.
Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.
Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.