Shtrenjtimi i produkteve esenciale, ish-kryeinspektori i Tregut thotë se institucionet duhet të ndërhyjnë nëse ka keqpërdorime

Ditëve të fundit në Kosovë ka ndodhur ngritje e çmimit të produkteve esenciale ushqimore por edhe të karburanteve.

Çmimi për një litër vaj ushqimor sot shkon deri në 2,29 euro, pesë kilogramë miell deri në 4,15 euro, pesë kilogramë sheqer deri në 4,20 euro.

KALLXO.com ka kontaktuar Lulzim Sylën, ish-kryeinspektor i tregut për të marrë një prononcim lidhur me këtë çështje.

Syla thotë se Inspektorati i Tregut ka kompetencë për t’i kontrolluar marketet për të parë nëse kanë apo jo stoqe të produkteve.

“Kur ka qenë puna e taksës 100% e vendosur nga Qeveria Haradinaj, ne gjithmonë kemi qenë vigjilentë dhe kemi bërë kontrolle se mos po manipulojnë apo mos po e keqpërdorin taksën, kemi qenë në kontroll. Shteti i ka mekanizmat që duhet të ndërhyjnë. Unë e kuptoj që është tregu i lirë, por tregu i lirë nuk mundet me qenë aty ku ka keqpërdorime”, ka thënë Syla.

Syla thotë se Inspektorati i Tregut apo Departamenti për mbrojtjen e konsumatorëve mund të bëjë kontrolle në rast të manipulimit me çmime.

“Inspektorati në këto kohë duhet të dalë për kontrolle për të parë se këto produktet esenciale ushqimore si vaji, sheqeri dhe mielli, të kontrollohet aty ku ka rritje enorme të çmimeve, në rast se ka mashtrime, këtu duhet të hyjë edhe Konkurrenca, sepse bizneset mund të bëjnë marrëveshje mes vete që ta shtrenjtojnë menjëherë çmimin”, ka thënë Syla për KALLXO.com

Vazhdon rritja e çmimit të produkteve esenciale në Kosovë

www.kallxo.com