Investitorët kërkojnë nga ZRRE t’i lejojë të prodhojnë energji aq sa kanë kapacitet

Në emisionin “Kallxo Përnime”, investitorët privatë që merren me energji diellore kanë kërkuar që të lejohen të prodhojnë energji aq sa kanë kapacitet.

Lulzim Syla nga kompania ‘Elen’ ka thënë se rritja e limitit në 200 KW nga 100 KW sa ishte, është e mirëseardhur por, sipas tij, nuk mjafton.

“Mendojmë që energjia që prodhohet nga sistemet solare nuk e ngarkon rrjetin por e relakson atë, pasi prodhon për nevoja të veta dhe një sasi të vogël e qet në rrjet me çka mund të furnizojë edhe komunitetin përreth” – ka thënë Syla.

Ndërsa Bujar Guci nga ‘Unisolar’ ka thënë se bazuar në praktikat e vendeve të rajonit, ai ka pritur që ky limit të jetë deri në 500 KW.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se edhe USAID-i e ka bërë një draft me anë të Të cilit i ka renditur shtetet e rajonit të cilat limitin e kanë mbi 500 KW si dhe shtetet evropianë që s’kanë fare limit.

“E mira është që e kanë futur 200 KW, por propozimi im si kompani ka qenë që ZRRE- ja t’i dëgjojë të gjitha këto që po i japim si këshilla që pragu te grupet tarifore të jetë pragu, minimumi 200 KW” – ka thënë Guci.