Kriza energjetike, pak shpresë për dimër të lehtë

Dje, Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë – KEDS, kishte njoftuar se nga sot Kosova do të furnizohet vetëm me energji elektrike të prodhuar brenda vendit dhe si pasojë e kësaj do të ketë reduktime të rrymës, 6 orë me rrymë dhe 2 orë pa rrymë. Kjo ndryshoi sot në orën 14:00, kur Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) arritën marrëveshje dhe u rikthye furnizimi i rregullt me rrymë.

Pas mospranimit të subvencionit të zotuar nga qeveria në muajin shkurt të këtij viti, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO sot ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë propozimin për tarifat e reja të energjisë elektrike. KESCO ka propozuar dyfishim të çmimit të energjisë.

Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat ndërsa tarifa e ultë të jetë 5.43 centë për kilovat.

Ndërsa nëse kalohen 800 kilovatë në muaj, për kilovatët e shpenzuar mbi këtë bllok, KESCO ka propozuar që tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ultë 11.09 centë për kilovat.

Pak ditë pas kësaj kërkese, KEDS-i dje bëri të ditur se nuk kanë mundësi financiare të blejnë më energji jashtë vendit.

“KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të cmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi” – thuhet në njoftim.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, duke kërkuar dyshfim të tarifave të energjisë.

Kjo kërkesë sipas KESCO është bërë si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës si dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti ishte zotuar për subvencionim prej 90 milionë euro të energjisë për shkak të krizës energjetike por këto mjete ende nuk janë shpërndarë tek akteret e energjisë. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe KESCO në kërkesën për ngritje të tarifave të energjisë. Në kërkesë thuhet se KESCO ende nuk ka pranuar asnjë pagesë/rimbursim apo subvencion nga Qeveria përkundër zotimit. 

“Drimri jo shumë i ftohtë, kriza më e lehtë”

Në mënyrë që krizën energjetike Kosova ta kalojë sa më lehtë, dimri nuk duhet të jetë shumë i ftohtë.

Kështu thotë njohësi i fushës së energjisë, Lulzim Syla, sipas të cilit ekzekutivi duhet të takohet me KESCO/KEDS për të diskutuar çështjen e shpërndarjes se mjeteve të zotuara. 

“Qeveria duhet të diskutojë me KESCO përkatësisht me KEDS për cështjen e shpërndarjes se mjeteve për të tejkaluar krizën për shkak se është rreziku që mund të dështoj i gjithë sistemi i energjisë… Qeveria duhet të ketë një seri takime edhe me bizneset me qëllim që të ngris vetdijën për kursim të energjisë dhe si të tejkalojmë sitatuen më lehtë”, tha Syla për KALLXO.com

Syla ka edhe disa propozime se si mund të ‘zbutet’ kriza energjetike. 

“Para se të vinin në shprehje reduktimet, Qeveria ka pas mundësi që të punojë në disa aspekte, atë operativ dhe strategjik. Në aspektin operativ, do të duhej të fokusohej në efiçenicën e energjisë, këtu duke marrë parasysh që vetëm institucione publike i kemi mbi 1500 që përmes një auditimi energjetik mund të kurseojmë miliona euro brenda vitit. Përveç kësaj, qeveria do të mudn të informonte qytetarët se cilat llojë të ngrohjëve janë më efiçiente apo edhe të krijonte një fond përmes të cilit do të subvenciononte qytetetarët që përdorin ngrohje, A+++, kjo do të nxiste kursimin”, shpejgon ai për KALLXO.com

Për ish-kryeministrin e  Kosovës, Avdullah Hoti, reduktimet e energjisë elektrike do të kthejnë situatën e pasluftës në Kosovë. 

“Po i përcjell me shqetësim zhvillimet e javëve të fundit. Është e papërgjegjshme të udhëhiqet vendi në këtë mënyrë. Nuk iu kemi borxh të na kthejnë me dekada prapa. Fatkeqësisht, me reduktimet e energjisë po kthehet situata e viteve të para pas luftës çlirimtare 1998-1999. Ndërkaq, për ta mbuluar këtë keqmenaxhim po e hapin temën e shamive në shkolla, duke kthyer debatin e viteve të para pas Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar ai.

Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës përmes një postimi në facebook tha se për nisjen e reduktimit të energjisë elektrike në mes të gushtit, dikush duhet të jep përgjegjësi.

Ajo theksoi se sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare.

“6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarësinë energjetike të Kosovës. Sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare. Këto janë betejat e vërteta, e jo luftërat imagjinare në kokën e Kryeministrit”, shkroi ajo.

Ndërkaq Ministria e Ekonomisë ka thënë se do të ndërhyjë  për të ndaluar humbjet nga vjedhjet energjisë elektrike.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike në Kosovë (KOSTT), ka thënë se aktualisht Kosova po përballet me disbalancë në mes prodhimit dhe konsumit të energjisë elektrike.

KOSTT ka thënë se si pasojë e kësaj disbalance, janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj sistemit interkonektiv të Evropës, gjatë javëve dhe muajve të fundit.

Mësoni orarin e reduktimeve të rrymës në vendin ku jetoni