Shqipe Mehmeti Selimi tregon pse nuk votoi pro Donika Gërvallës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Shqipe Mehmeti -Selimi ka treguar se nuk ka votuar për propozimin e partisë së saj që ministrja në detyrë, Donika Gërvalla-Schwarz të zgjedhet kryeparlamentare.

Ajo për mosvotën e saj për partneren e koaliconit, thotë se ka marrë shkas qëndrimet e Gërvalla-Schwarz ndaj bashkëshortit të saj, ish-deputetit të LVV-së, Rexhep Selimit, të  publikuara në Facebook me datë 07.02.2020 dhe 25.03.2020.

Në ato dy postime që i ka ripublikuar Mehmeti-Selimi, Gërvalla kishte folur kundër Rexhep Selimit, kur ai ishte propozuar si kryetar i grupit parlamentar të LVV-së, duke e quajtur “sinjal i shëmtuar” dhe “figurë e diskredituar e botës së krimit”.

“Nëse mund t’i besohet informacioneve të mediumeve të ndryshme, Rexhep Selimi qenka propozuar si kryetar i grupit parlamentartë VV-së. Ky do të ishte sinjal shumë i shëmtuar, jo vetëm për faktin që Rexhep Selimi është një prej të dyshuarve të Hagës”- shkruan në postimin e Donika Gërvallës që mban datën 07.02.2020, i cili është rishpërndarë si ‘screenshot’ nga Shqipe Mehmeti-Selimi.

“Sa i gërditshëm me e pa pikërisht Rexhep Selimin duke folur për shtetin e së drejtës. Fakti më i shëmtuar që as LVV nuk ka arritur të çlirohet tërësisht nga figurat e sa të diskredituara të botës së krimit”- është postimi tjetër i Gërvallës që mban datën 25.03.2020, të cilin e ka shpërndarë si asye për mosvotimin e saj, Shqipe Mehmeti-Selimi.

Deputetja ka sqaruar se mosvota e saj nuk ka të bëjë me motive partiake.

“Këtë shpjegim po e bëjë për hir të transparencës dhe respektit ndaj opinionit, mediave dhe në veçanti, përkrahësve e votuesve të Lëvizjes Vetëvendosje”- ka shkruar ajo.

Në momentin që është hedhur në votim kandidatura e Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi në bazë të pamjeve nga Kuvendi i Kosovës, nuk shihet duke votuar.

Dora e ngritur e Mehmeti-Selimit nuk shihet as në votimin për, as kundër e as në abstenim.

As pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetet e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

Në sallë ishin të pranishëm 116 deputet, teksa Haxhiu mori 57 vota për. Pasi Albulena Haxhiu nuk mori votat e nevojshme, u propozua Donika Gërvalla. Votat ishin të njëjta edhe për të: 57 për, 56 kundër dhe 3 abstenime.

Aktualisht, Gjykatën Speciale në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçit, ish-deputetit Rexhep Selimit dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.