Shpërthen gazi në minierën e Bulqizës në Shqipëri, plagosen tre punëtorë

Një aksident i rëndë ka ndodhur në minierën e Bulqizës në Shqipëri.

Ngjarja ndodhi në nivelin e 17 të minierës. Shkak dyshohet se ka shpërthyer një sasi gazi dhe për pasojë kanë pësuar djegie trupore tre punëtorë që ndodheshin në këtë nivel.

Tre minatorët e plagosur janë dërguar me urgjencë drejt Tiranës për të marrë mjekim më të specializuar dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht punëtorët janë dërguar në Spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmën e parë, ku nga pamjet shihen familjarët e shqetësuar.

Po ashtu është bërë menjëherë evakuimi i të gjithë punëtorëve nga vendi i punës dhe rrjedhja e gazit është vënë nën kontroll.

Sipas Policisë, situata është normalizuar. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të plota të kësaj ngjarjeje./TopChannel