Shpërndahen deputetët, Kuvendi shkon në pauzë për dy orë

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë për dy orë, pas përleshjes fizike që ka ndodhur sot para mesditës.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca njoftoi se do shkojnë në pauzë dy orëshe, pasi sipas tij nuk ka kushte të vazhdohet seanca.

“Sa i përket mundësisë me vazhdu seanca, nuk po shoh kushte në këtë moment kur po flasim. Po e marrim një pushim prej dy orësh dhe pastaj vendosim se në çfarë mënyrë e vazhdojmë seancën”- tha kryetari i Kuvendit.

Konjufca gjithashtu e ka thënë se përdorimi i dhunës edhe në këtë mënyrë është i dënueshëm teksa shtoi se tashmë kjo është  përgjegjësi e organeve të rendit dhe sipas tij nëse ka pasur sulm fizik do të trajtohet prej ligjit.

Kryeministri Albin Kurti dhe deputetët  janë larguar nga salla e seancave plenare.

Gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike.

E gjithë kjo nisi kur deputetja e PDK-së Ganimete Musliu vendosi një foto në foltoren e Kuvendit, përderisa Kurti po deklarohej, një fotografi të kreut të ekzekutivit më hundë të madhe.

Më pas zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është ngritur nga karriga e tij dhe ka grisur fotografinë.

Pas këtij veprim, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku i cili hodhi ujë në drejtim të kryeministrit Kurti dhe zëvendëskryeministrit Bsilimi, në mbrojtje të së cilit erdhi ministri i Financave Hekuran Murati.

Lushtaku shihet duke e shtyrë fizikisht ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun. Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqaj shihet duke goditur fizikisht ministrin Murati.