Shkronjat e arta të UÇK-së në Reçak - Pamje

Në 23 vjetorin e ditës së çlirimit të Kosovës, në fshatin Reçak të Shtimes është bërë inaugurimi i tri shkronjave të simbolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “UÇK”.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ka qenë dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu.

Mehaj tha se shkronjat UÇK janë më të bukurat që ekzistojnë në vend.

Ai shtoi se Reçaku mbledh popullin për të mos harruar të kaluarën.

“Reçaku është një vend që na mbledh për të mos e kujtuar historinë tonë. Këto shkronja janë më të bukurat që ekzistojnë në vendin tonë e në gjithë botën”, u shpreh Mehaj.

Në anën tjetër, kryetari Aliu tha se UÇK-ja nënkupton aktin më të lartë dhe themelim e lirisë së Kosovës, ndërsa emblema e saj e vendosur në Reçak nderon jo vetëm këtë fshat, por për të gjithë Shtimen.

“Jemi mbledhur këtu, në Reçakun që trazoi gjithë botën. Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë ndaj regjimit serb”, tha ndër të tjera Aliu.

Realizimin e këtij projekti e ka filluar një banor i fshatit Reçak, Abdullah Musliu.

Musliu në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se ideja i ka ardhur nga projekte të njëjta që gjenden edhe në disa fshatra të tjera të Kosovës.

Sipas Musliut, vullneti dhe dëshira për të punuar ka ekzistuar, mirëpo kanë munguar fondet për të realizuar një projekt të tillë.

Ai tregoi se pasi kanë filluar bashkëpunimin me njërin nga donatorët që kanë gjetur, ka pasur vullnet edhe nga qytetarët e tjerë që të ndihmojnë në realizimin e këtij projekti.

“Ideja ishte, mirëpo donatorët nuk ishin, por falë zotit kemi pas një bashkëpunim të mirë me Gyner Nuredinin nga Toni Company i cili ka shprehur gatishmëri që të na ndihmojë në aspektin financiar. Pasi kemi fillu projektin është një numër i madh i qytetarëve që na kanë ndihmu në financa për ta realizuar projektin”, tha Musliu.

Ai tutje tregoi se nga ana e qeverisjes lokale nuk kanë pasur mbështetje financiare, por vetëm atë institucionale.

“Para se me fillu punimin, unë bashkë me dy kolegë që i kam pas në menaxhim, Selim Musliu dhe Lulzim Meziraj nga Molopollci kemi realizu takimin e parë me kryetarin e Komunës së Shtimes më të cilin kemi arrit një marrëveshje mirëkuptimi që të na mbështesë në aspektin institucional”, tha Musliu duke shtuar se “Mbështetja nuk ka mungu, vet kryetari ka ardh dhe i ka pa punimet për së afërmi, ndërsa në aspektin financiar nuk ka pas nevojë pasi i kemi pas njerëzit e vullnetit të mirë”.

Në fshatin Reçak, më 15 Janar 1999, nga forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë u masakruan 45 shqiptarë të cilët ishin paarmatosur.

Kjo masakër llogaritet të jetë ndër masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit.

Por, përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori WËilliam Walker.

Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.