Foto: Policia e Shtetit

Policia e Shqipërisë sekuestron dy vetura të vjedhura në Kosovë, dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale

Policia e Shqipërisë ka sekuestruar dy vetura të vjedhura në Kosovë, që dyshohet se do përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.

Sipas njoftimit, lidhur me rastin është arrestuar një 34-vjeçare, e cila dyshohet se i ka trafikuar në Shqipëri veturat me targa të Kosovës.

Këto vetura dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, ka njoftuar Policia.

“Për rastin u vu në pranga shtetasja A. P., 34 vjeçe, banuese në Rubik, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, ka trafikuar nga Kosova në Shqipëri, 2 automjete, tip “BMW” dhe “Volkswagen”, me targa kosovare, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen”- thuhet në njoftim.

Ndërsa tutje thuhet se është proceduar penalisht administratori i servisit në Rubik ku janë gjetur dy veturat.

“U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, për shtetasin D. P., banues në Rubik, pasi dyshohet se ka fshehur në servisin e tij, në Rubik, 2 automjetet e trafikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”- thuhet në njoftim.