Ilustrim: Unsplash.com/Taylor Flowe

Viti, nxënësi 11-vjeçar dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë nga një 13-vjeçar në oborr të shkollës

Një 11-vjeçar dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë nga një 13-vjeçar në oborrin e shkollës fillore të mesme të ulët “Ndre Mjeda” të fshatit Kabash të komunës së Vitisë më 31.05.2024.

Sipas informatave të KALLXO.com, nxënësi që dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë është i klasës së pestë, ndërsa nxënësi që dyshohet se e ka lënduar atë është i klasës së shtatë të shkollës “Ndre Mjeda”.

Prindi i 11-vjeçarit që dyshohet se u lëndua në shpinë me mjet të mprehtë, E.H. pretendon se drejtoria e shkollës nuk e ka lajmëruar rastin në Polici dhe as ndihmën e shpejtë për ta trajtuar nxënësin.

Për shkak të pretendimit se shkolla nuk kishte ndërmarrë asgjë në lidhje me rastin, E.H. ka deklaruar se e ka paditur drejtorin e shkollës dhe shkollën “Ndre Mjeda”.

Kur KALLXO.com e ka pyetur Policinë në Gjilan, ata e kanë konfirmuar se rasti ishte raportuar në stacionin policor në Viti më 31.05.2024, nga Qendra e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti.

“Rasti në Stacionin Policor në Viti është raportuar me datën 31.05.2024 rreth orës 15:19 nga Qendra e Mjekësisë Familjare në qytetin e Vitisë. Në bazë të hetimeve preliminare dyshohet se rasti ka ndodhur në oborrin e një shkolle në fshatin Kabash të komunës së Vitisë në të cilin rast dyshohet se viktima ka marrë lëndime nga një mjet i mprehtë” – thuhet në përgjigjen e Policisë më 05.06.2024.

Lëndimi i 11-vjeçarit me mjet të mprehtë është inicuar si “lëndim i lehtë trupor”, njofton Policia, ndërsa, palët e përfshira janë në procedurë të intervistimit.

“Të gjitha palët e rastit, duke përfshirë këtu edhe dëshmitarët e rastit, janë në procedurë intervistimi në bazë të procedurave ligjore nga ana e njësitit të hetimeve të Stacionit Policor Viti. Rasti në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar ‘’Lëndim i lehte trupor’’ për të cilin është plotësuar shënim zyrtar, rast i cili është proceduar Qendrës për Pune Sociale në Viti, pasi që të përfshirët në rast janë persona të mitur nën moshën 14-vjeç” – kanë njoftuar nga Policia.

Në anën tjetër, sipas E.H., gruan e tij e kishte njoftuar mësuesja për lëndimin e djalit të tyre dhe se 11-vjeçari ishte dërguar fillimisht në QKMF të Vitisë, më pas në Spitalin e Gjilanit.

Drejtori i Spitalit në Gjilan, Arsim Emini, ka thënë se 11-vjeçari është trajtuar në repartin e kirurgjisë të Spitalit të Gjilanit, mirëpo fillimisht ishte pranuar në Emergjencë më 31.05.2024.

“Ka nejtë tri ditë në spital, nuk ka pasë lëndime serioze edhe ai është lëshu në shtëpi” – ka thënë Emini më 05.06.2024.

Sipas informatave që ia ka dhënë kirurgu kujdestar, Emini thotë se 11-vjeçari kishte pasur “një plagë shpuese me mjet të mprehtë” dhe ka treguar se çfarë trajtimi i është bërë atij.

“Është raportu me një plagë edhe është shiku ajo plagë, janë bërë ekzaminimet përcjellëse, është bërë, e di këtë kirurgu e ka thënë – është bërë rentgen i toraksit, rentgen i gjoksit që me pa mos ka depërtu ajo majë e briskut, e thikës, mos ka depërtu thellë me ba lëndime edhe të organeve të brendshme. Nuk ka pasë” – ka deklaruar Emini.

Kurse, drejtoresha e Arsimit në Viti, Arta Ajeti, ka thënë se është në dijeni në lidhje me rastin nga dita e hënë, më 03.06.2024 dhe se për të i kishte kërkuar një raport drejtorit të shkollës.

Sipas Ajetit, drejtori Musa Murati ia kishte përshkruar shkurtimisht në raport se çka kishte ndodhur mes dy nxënësve.

“Nxënësi i klasës së shtatë me një mjet të fortë lëndon nxënësin e klasës së pestë. Ndihma e parë i është dhënë në shkollë, njoftohet prindi i nxënësit, prindi vjen e merr, kaq” – thuhet në raportin e drejtorit Murati sipas Ajetit.

Drejtori i shkollës “Ndre Mjeda”, Musa Murati, është kontaktuar dy herë nga ekipi i KALLXO.com më 05.06.2024.

Herën e parë drejtori Murati është shprehur se ishte i zënë. Ndërsa, herën e dytë kur është kontaktuar Murati ka thënë “Jam i zënë për momentin, jam në organe, zyrtarisht jam, n’organe. N’organe jam, m’fal, m’fal, diten e mirë” dhe e ka mbyllur telefonin.

Si dyshohet se u lëndua me mjet të mprehtë 11-vjeçari në oborrin e shkollës?

Në një bisedë për KALLXO.com, E.H., prindi i nxënësit 11-vjeçar të shkollës fillore të mesme të ulët “Ndre Mjeda” të fshatit Kabash të Vitisë, ka treguar se si dyshohet se ishte lënduar me mjet të mprehtë djali i tij.

Sipas E.H., djali i tij mëson në ndërrimin e pasditës dhe kishte qenë në oborrin e shkollës me një shok të tij.

Ai thotë se të dy kishin dalë në oborr të shkollës pasi kishte qenë data 31.05.2024, para Ditës së Fëmijëve – 1 Qershor, kur shkollat organizojnë aktivitete për ta shënuar këtë ditë.

Si rrjedhojë, E.H. pretendon se 13-vjeçari, nxënës i klasës së shtatë, kishte shkuar në oborrin e shkollës dhe e kishte lënduar me mjetin e mprehtë djalin e tij në shpinë, në anën e majtë.

“Djali jem u kanë në shkollë masdite, ai djali (që e ka lënduar) është në shkollë paradite, janë kanë normal në orë të mësimit po u kanë data, a e di për 1 Qershorin – Dita e Fëmijëve normal, tani, i kanë qitë një ditë përpara në oborr të shkollës edhe ka shku ai djali në oborr të shkollës. Djali jem ka qëllu me një shok të vetin duke luajtë në oborr e ai kishe ka pasë problem me ta, ia ka nguc vëllanë, djali im ka qëllu në atë vendin e ngjarjes edhe janë rrokë, tani ai djali e ka sulmu me thikë edhe është i shpuar në anën e majtë, në shpinë” – ka treguar E.H. më 05.06.2024.

Teksa ai akuzon shkollën se nuk e kishte ndihmuar djalin e tij pasi ishte lënduar, thotë se gruaja e tij e kishte marrë atë nga shkolla “Ndre Mjeda” dhe e kishte dërguar në QKMF të Vitisë.

“Tani nuk kanë reagu shkolla si shkollë, as nuk e ka lajmëru ndihmën e parë, as nuk e ka lajmëru Policinë. E ka njoftu mësuesja e djalit gruan time, tani gruaja ka shku te shkolla e ka marrë, e ka çu në QKMF Viti, prej aty me ndihmë të parë ka shku në Gjilan” – ka thënë E.H.

Sipas tij, kur gruaja e tij kishte shkuar ta marrë djalin në shkollë, drejtori i shkollës “Ndre Mjeda”, Musa Murati, i kishte thënë se s’është plagë e rëndë ajo që kishte marrë 11-vjeçari.

Ai ka treguar se 11-vjeçari kishte qëndruar tri ditë në Spital të Gjilanit për t’u trajtuar dhe se tani është duke qëndruar në shtëpi, pasi ka marrë pushim mjekësor.

Për këtë ai ka treguar edhe fletëlëshimin e Spitalit të Gjilanit, në të cilin përshkruhet trajtimi dhe lëndimi që ka pësuar 11-vjeçari.

Sipas fletëlëshimit të Spitalit të Gjilanit për 11-vjeçarin, ai është pranuar në Spital më 31.05.2024 dhe është liruar më 03.06.2024, dhe kërkohet kontrollë e tij pas tre ditësh, pra më 06.06.2024.

Në këtë fletëlëshim shkruan se 11-vjeçari ishte pranuar në repart të Kirurgjisë nga Qendra Emergjente e Spitalit të Gjilanit pasi që është therur me mjet të mprehtë në regjionin e shpinës.

Për lëndimin e 11-vjeçarit ka folur edhe E.H.

“Plagën e ka në shpinë në anën e majtë, e ka 2cm të shpuar, në mes brinjëve 11 dhe 12” – ka treguar E.H.

E.H. kishte qenë në Prishtinë kur djali i tij dyshohet se ishte lënduar me mjet të mprehtë, dhe se ishte njoftuar pasi kishte shkuar 11-vjeçari në Spitalin e Gjilanit për t’u trajtuar.

“Normal, si prind shqetësim kam pasë unë prej Prishtinë deri sa kam ardhë m’u ka dokë rruga shumë e gjatë, deri sa kam mbërri në Spital, e kam thirrë normal shoqen për mbi 10 herë në telefon me e pyet vet qysh është gjendja” – ka shtuar E.H.

Pasi kishte arritur në Spitalin e Gjilanit, E.H. tha se e ka kontaktuar drejtorin e shkollës “Ndre Mjeda”, Musa Murati.

“Po, masi kam shku në Gjilan në Spital e kam thirrë i kam thënë: “Pse mos m’i ofru ndihmë?” Ka thënë: “Nuk jam unë me ta rujtë djalin, janë Policia” – ka thënë E.H.

Si rezultat i pretendimit të tij se shkolla nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta ndihmuar djalin e tij që dyshohet se u lëndua në oborrin e shkollës, ai tha se e ka paditur më 03.06.2024 drejtorin e shkollës “Ndre Mjeda” dhe shkollën.

“Normal i kam bërë padi shkollës edhe drejtorit. Më kanë thënë të lajmërojmë për çdo rast… S’ka reagu, djalin ma kanë lënë në oborr të shkollës. S’kanë ndërmarrë masa kurrgjë, nuk e kanë njoftu tani as Policinë u bo rasti kishe s’ka ndodhë kurgjo. Policia ka shku te shkolla, masi ka shku në QKMF Viti” – ka theksuar E.H.

Në lidhje me padinë që E.H. thotë se e ka ushtruar ndaj drejtorit të shkollës “Ndre Mjeda” dhe shkollës, Policia në Gjilan ka njoftuar se është inicuar rast – mosdhënie e ndihmës.

“Prindi i viktimës së rastit ka paraqitur ankesë në Stacionin Policor në Viti me dyshimin se nga drejtori dhe stafi i shkollës nuk i është ofruar ndihma e duhur. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Mosdhënie e ndihmës“ i cili rast në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit është në procedurë hetimore nga njësiti i hetuesisë të Stacionit Policor Viti. Palët janë të njoftuara në bazë të procedurave ligjore dhe të njëjtit janë në proces të intervistimit” – janë përgjigjur nga Policia në Gjilan më 05.06.2024.

E.H. ende nuk e di se a do ta lejojë të birin ta vazhdojë mësimin në shkollën “Ndre Mjeda” si pasojë e këtij rasti.

“Vallahi hala s’kam vendosë, normal, s’e di hala, për momentin nuk e di. Po normal si mos t’ketë siguri shkolla, sot i ka ndodhë, nesër mund m’i ndodhë edhe një tjetrit fëmijë, nuk është që s’më dhimset edhe tjetërkujt m’i ndodhë” – ka thënë ai.

Ai ka thënë se edhe vetë e ka përfunduar shkollimin e mesëm në të njëjtën shkollë dhe se nuk ka pasur problem më herët me shkollën apo drejtorin.

Ndërsa nga Prokuroria e Gjilanit kanë thënë për KALLXO.com se personi që ka kryer veprën është i mitur, nën moshën 14-vjeçare dhe ndaj të njëjtit nuk fillon procedura gjyqësore.

“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se personi i involvuar në këtë rast është nën moshën katërmbëdhjetë (14) vjet, prandaj bazuar në Kodin e Drejtësisë për të Mitur ndaj të njëjtit nuk fillon procedura gjyqësore pasi për shkak të moshës i njëjti është penalisht të papërgjegjshëm. Lidhur me rastin është njoftuar dhe merret Qendra për Punë Sociale” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.

Shënim: Më 07.06.2024, artikulli është plotësuar me përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit.