Foto-ilustrim
Lirohet nga akuza Kreshnik Bajraktari, zyrtari i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore
Gjykata e Prishtinës e ka liruar nga akuza Kreshnik Bajraktarin, zyrtar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK).
Në shpalljen e aktgjykimit më 05.06.2024, Gjykata konstatoi se nuk është arritur të provohet se i akuzuari ka kryer veprat penale që i viheshin në barrë.
Aktakuza ishte ngritur më 2022 dhe Kreshnik Bajraktari akuzohej se në cilësinë e personit zyrtar, si zëvendës i udhëheqësit ekzekutiv në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në mënyrë të vazhdueshme nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit Isuf Koci, duke kryer kështu veprën penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare.
Ndërkaq, sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Bajraktari akuzohej se në cilësi të njëjtë nga data 14.02.2022, e deri më tani ka refuzuar të ekzekutojë vendimin e datës 10.01.2022, të nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 14.02.2022, me të cilat vendime obligohej i akuzuari ta zbatojë vendimin e datës 17.05.2021, të nxjerrë nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Me këtë ai akuzohej për veprën penale – mosekzekutim i vendimeve gjyqësor.
Shpallja e aktgjykimit është bërë nga kryetarja e trupit gjykues Sulltane Hoti dhe anëtarët Avni Syla dhe Alban Ajvazi.