Foto: KALLXO.com

Raporti i OSBE-së: Ka mungesë të besimit në sistemin gjyqësor

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar sot, më 05.06.2024, rezultatet e raportit “Nga Teoria në Praktikë” – Vlerësimi i efikasitetit të reagimit gjyqësor ndaj krimit të rëndë të organizuar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor.

Aty janë analizuar 52 lëndë të krimit të organizuar dhe korrupsionit që Misioni ka monitoruar në periudhën nga korriku i vitit 2021 deri në mars të 2024-ës.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, tha se Misioni ka vërejtur zhvillime pozitive kohëve të fundit, të cilat janë drejtpërdrejt të lidhura me administrimin e drejtësisë në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ai këtu përmendi miratimin e Strategjisë së sundimit të ligjit 2021-2026, si dhe miratimin e Planit për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022-2024.

“Raporti i përgjithshëm mbulon 5 juridiksione rajonale. Në Kosovë Misioni i OSBE-së ka vërejtur zhvillime pozitive kohëve të fundit të cilat janë drejtpërdrejtë të lidhura me administrimin e drejtësisë në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Miratimi i Strategjisë së sundimit të ligjit 2021-2026 ishte një zhvillim i tillë, siç ishte edhe miratimi i Planit për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe krimit të organizuar 2022-2024. Gjithashtu kemi vërejtur një përmirësim të konsiderueshëm në publikimin e aktgjykimeve nga Gjykata e Apelit vitin e kaluar krahasuar me vitet paraprake. Po ashtu raporti thekson edhe shembuj të praktikës së mirë në luftimin e rasteve të profilit të lartë. E rëndësishme është edhe deklarata e përbashkët e zotimeve e nënshkruar nga palët kryesore përmes së cilës nënvizuan zotimin për reformë në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e sundimit të ligjit” – tha ai.

Davenport tha se gjatë raportit kanë vërejtur zvarritje të rasteve, ndonjëherë një numër të madh të seancave joproduktive, mangësi në vetëmenaxhimin e rasteve, kapacitet joadekuat dhe shpeshherë edhe mungesë resursesh, llogaridhënie të dobët dhe performancë të dobët të mekanizmave përkatës dhe çështje që pengojnë konfiskimin efektiv të pasurive.

Ai tha se përmes këtij raporti rekomandohet nevoja për të forcuar transparencën dhe qasjen në informata, një qasje konsistente për publikimin e aktakuzave që do të jenë të qasshme për qytetarët, nevojën për të rritur efikasitetin e gjykatave për të funksionuar në të dy gjuhët zyrtare, masat e veçanta hetimore duhet të nxiten dhe të zbatohen në praktikë udhëzimet ekzistuese për konfiskim dhe sekuestrim, ndërmarrja e hapave specifik, sidomos nga KGJ dhe Gjykata Supreme që të sigurohet një menaxhim më efektiv i rasteve dhe të ulet numri i zvarritjeve dhe vonesave.

“Është thelbësor bashkëpunimi ndërinstitucional për trajtimin e këtyre çështjeve” – tha Davenport.

“Ekipi ynë ka monitoruar gjithsej 52 çështje, ku janë përshirë 670 seanca dëgjimore korrik 2021 dhe mars 2024, 38 raste të korrupsionit të profilit të lartë dhe 16 të krimit të organizuar. Në këto pesë juridiksionet, disa prej këtyre çështjeve të nënvizuara përfshijnë, pronësinë e pamjaftueshme të procesit të reformës, vështirësi me resurse njerëzore dhe materiale, performancë joefektive e sistemit të menaxhimit për gjyqtarë dhe prokurorë, duke përfshirë shpeshherë kritere që favorizojnë sasinë mbi cilësinë duke toleruar një performancë të dobët, sfida sa i përket drejtësisë efikasitetit dhe kapacitetit gjyqësor në gjykimin e rasteve të nivelit të lartë” – tha ai.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se ky raport ka qenë një proces i gjatë dhe i detajuar që ka përfshirë edhe angazhimin e institucioneve të vendit në analizimin e situatës reale në vend.

“Ky raport absolutisht jep një perspektivë rajonale dhe njëkohësisht na ndihmon të marrim hapa ndërshtetëror për të rritur reagencën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Më lejoni që para jush të shpreh gatishmërinë dhe vullnetin si ministre e Drejtësisë që të mbështesim të gjitha përpjekjet për luftën e pakompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Objektivi ynë gjatë kësaj qeverisjeje ka qenë i qartë. Mekanizmi anti-korrupsion po fuqizohet dita-ditës, duke goditur hallkat e krimit të organizuar” – u shpreh Haxhiu.

Ambasadori i BE-së në Kosovë Tomáš Szunyog, tha se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar dhe se Kosova po vazhdon të përballet me stërzgjatje të rasteve gjyqësore.

“Raporti ofron 17 rekomandime shumë të vlefshme që përfshijnë të gjitha sistemet e drejtësisë në Kosovë, Gjykata, Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, pra të gjitha palët, dhe inkurajon këto institucione që të zbatojnë rekomandimet e renditura në këtë raport” – deklaroi Szunyog.