Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com
Fondi i 3%-shit, Gjykata Supreme e refuzon aktakuzën e Prokurorisë ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit
Gjykata Supreme e ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë ndaj Naser Osmanit e Atdhe Gashit për veprën penale të shpërdorimit në rastin e njohur si Fondi i 3%-shit, duke arsyetuar se ndjekja penale në këtë rast ka arritur parashkrimin absolut.
Kështu Supremja e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës të datës 23.06.2023 dhe Gjykatës së Apelit të datës 19.12.2023.
Në aktgjykimin e Supremes thuhet se Prokuroria kishte kërkuar që kërkesat e tilla të refuzohen si të pabazuara.
Në vendimin e marrë nga gjyqtarët Mejreme Memaj – kryetare dhe anëtarët Valdete Daka dhe Rasim Rasimi thuhet se për të vlerësuar afatin e arritjes së parashkrimit të ndjekjes penale është dashur të vlerësohet se cili ka qenë veprimi i fundit inkriminues eventual i tashmë ish të akuzuarve, e që në rastin konkret është tërheqja e fundit e parave, e cila sipas ekspertizës financiare të pranuar nga gjykatat e përmendura është data 20.03.2012. Kjo, ka arsyetuar Gjykata, përkundër faktit që llogaria në vetvete ka qenë e hapur deri në fund të vitit 2015.
Supremja ka vlerësuar se Gjykata e Prishtinës dhe Apelit kanë dështuar të konstatojnë veprimin e fundit ani pse grupi i ekspertëve ka dhënë sqarime të sakta lidhur me këtë fakt.
Gjithashtu në aktgjykim përmendet se përkitazi me afatet kohore të përcaktuara me Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës, i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës së pretenduar penale, është arritur afati i parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Andaj është konstatuar se është shkelur ligji penal në dëm të Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.
Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar vetëm lartësinë e dënimit, duke i dënuar të njëjtit me nga 18 muaj burgim.
Kundër këtyre dy aktgjykimeve kërkesë për mbrojte të ligjshmërisë kishin ushtruar avokati Florent Latifaj, mbrojtës i Naser Osmanit dhe avokati Halit Shaljani, mbrojtës i Atdhe Gashit.
Pretendimet e paraqitura në aktakuzë
Prokuroria Speciale aktakuzën ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit e kishte ngritur gjatë vitit 2017.
Ata akuzoheshin për keqpërdorimin e Fondit të 3%”-shit, i cili ishte formuar nga kontributet e bashkatdhetarëve kosovarë, me qëllim të organizimit të jetës institucionale në Kosovë gjatë viteve ’90–ta.
Për shkak të gjendjes shëndetësore të Bujar Bukoshit, procedura gjyqësore ndaj tij ishte veçuar dhe kishte vazhduar ndaj ish-deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashit.
Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të OJQ-së “U-FORK” dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ-së “U-FORK” në vazhdimësi në periudhën kohore 2006-2015 në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit pretendohej të kishin tërhequr shumën prej 255.398.41 euro “cash” pa e arsyetuar apo dëshmuar tërheqjen e shumës në fjalë.