Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA). Foto: REL

Mediat serbe: BIA mohon lidhjen me dy personat e arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh

Mediat serbe raportojnë se Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë (BIA) ka mohuar se dy personat e arrestuar në Kosovë nën dyshimin për spiunazh kanë të bëjnë më të.

Mediumi shtetëror RTS raporton  se Agjencia për Siguri dhe Informim mohon me vendosmëri të gjitha përpjekjet për përhapjen e lajmeve të rreme nga institucionet e Kosovës se dy personat me iniciale B.SH. dhe M.Q, të cilët u arrestuan sot në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh kanë çfarëdo marrëdhënie bashkëpunimi me Agjencinë.

Dy persona janë arrestuar sot më 05.06.2024 në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh.

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në dy lokacione të ndryshme në Ferizaj.

Udhëheqësja e Zyrës për Komunikim në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Liridona Kozmaqi, e ka konfirmuar për KALLXO.com se të arrestuarit janë nën masën e ndalimit 48 orësh me urdhër të Prokurorisë Speciale.

“Mund të konfirmoj se në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në janë realizuar bastisje në dy lokacione, të njëjtit dyshohen për veprën penale të spiunazhit” – tha Kozmaqi për KALLXO.com.

Dogana e Kosovës përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me njërin nga të arrestuarit e sotëm për spiunazh, duke thënë se i arrestuari me inicialet B.Sh. është pushuar nga puna nga Dogana 20 vite më parë e që nga atëherë ky person nuk ka lidhje me këtë institucion.

KALLXO.com përmes burimeve mëson se edhe personi tjetër i arrestuar me inicialet M.Q. ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011, por i njëjti ishte larguar nga puna.

Nga Zyra e Kryeprokurorit u konfirmua se Prokuroria Speciale do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme brenda afateve ligjore.

Sipas një komunikate për media të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, arrestimet kanë ndodhur pas hetimeve disamujore.

Arrestimi i dy shqiptarëve për spiunazh, Dogana e Kosovës: I arrestuari është shkarkuar që 20 vite