Panairi i Librit 'Prishtina 2024'. Foto: KALLXO.com.

Hapet Panairi i Librit "Prishtina 2024", botuesit ekspozojnë mijëra tituj të rinj

Me moton “Përgjigjja është libri” është hapur sot, më 05.06.2024, në Prishtinë edicioni i 24-të i Panairit të Librit “Prishtina 2024”.

Rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora kanë ekspozuar botimet e tyre në Pallatin e Rinisë, ku tashmë  pothuajse për çdo vit mbahet Panairi i Librit.

Mijëra tituj të rinj e aktivitete për librin dhe shkrimtarin do të përcjellin edicionin e 24-të të këtij Panairi.

Edon Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës (SHBK) tha në ceremoninë e hapjes se Panairi shënon punën njëvjeçare të njerëzve që veprën e tyre e kanë motiv jete.

“Mirë se takohemi sërish për të 24-ën herë me radhë në këto 25 vjet të pasluftës në Pallatin e Rinisë, për të shënuar punën njëvjeçare të njerëzve që veprën e tyre e kanë motiv jete. Sot në këtë ditë të bukur me diell, përreth nesh rrezatojnë dituri e urtësi mijëra autorë me veprat e tyre”-  tha Zeneli.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se Panairi i Librit është një prej traditave më të bukura të pasluftës.

“Panairi është një festë e dijes dhe leximit dhe është shumë kënaqësi me i pa gjithë këta botues, një numër shumë i madh, gjithë këta tituj të rinj, pra qindra ose mijëra që i shtohen panairit dhe i ofrohen lexuesit në dispozicion”- ka thënë Çeku.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se leximi përben thelbin e një shoqërie me mendje të hapur.

“Sot në 24 -vjetorin e Panairi të Librit në Prishtinë mirëpresim mijëra tituj të rinj e të shkruar rishtazi dhe libra që rikthehen në vëmendjen e lexuesit falë vlerave të tyre të pakontestueshme”- tha ajo.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, tha se kjo ngjarje është një festë e vërtetë për kulturën dhe mendimin, një mundësi për të ndarë pasionin tonë të përbashkët për librat. “Libri, ky thesar i pashtershëm i dijes dhe frymëzimit, është një urë që na lidh me të kaluarën, na ndihmon ta kuptojmë të tashmën dhe ta imagjinojmë të ardhmen”- është shprehur Halimi.

Panairi u përshëndet edhe nga shkrimtari francez, Eric Faye, i ftuar nderi.

“Dua të them që deri më tani kam qenë vetëm një herë në Prishtinë, shumë moti, në viti, 1997 dhe atëherë e shihja botën me sy të një fëmije, nuk mbaj mend shumë, nuk kam kujtime të shumta nga ajo kohë kur isha në kryeqytetin tuaj ku bënte vapë e madhe. Por, nga ajo datë e kam përcjellë aktualitetin e Kosovës pasi shumë gjatë e kam përcjellë profesionin e gazetarit, kështu që datat e marsit dhe prillit të 1989 dhe 1999 për mua janë të shënuara në kujtesën time të një ecje të vështirë dhe të dhimbshme deri në pavarësi”- tha ai.

Risitë e Panairit të 24-të

Në stendat e Panairit janë ekspozuar mijëra tituj të rinj të zhanreve të ndryshme, duke përfshirë edhe ata për fëmijë.

Emira Bunjaku, nga Shtëpia Botuese “Albas”, tha për KALLXO.com se në këtë Panair kjo shtëpi botuese prezantohet me shumë tituj të rinj për fëmijë dhe të rritur.

“Ne si ‘Albas’ veprojmë në tri vende, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në këtë panair ne kemi ardhur me botime të reja, sikurse librat e Petro Markos, si dhe me botime tjera të reja për fëmijë dhe të rritur”- tha ajo.

Ndërkaq, Shtëpia Botuese “Artini” nga Prishtina sjell botimin më të ri të akademik Rexhep Qosjes.

“Do të veçoja botimin e fundit të Noel Malkolmit ‘Armiq të dobishëm’, pastaj atë të Bejtullah Destanit, dhe si risi këtë edicion do të sjellim librin e ri të Rexhep Qosjes, që llogaritet si një testament politik”- tha për KALLXO.com Artin Ahmeti nga SHB “Artini”.

Kurse, Kristiana Golemi, redaktore në Shtëpinë Botuese “Dituria” nga Tirana, tha për KALLXO.com se prezantohen me libra të rinj të autorëve të njohur klasikë e bashkëkohorë.

“Këtë vit kemi ardhur me prurje të reja dhe me zhanre nga më të ndryshmet, si mister, triler, romansë, romane me sfond historik, romane spiunazhi, ndër të cilët unë do të veçoja ‘Xhoana e kuqe’, të shkrimtares britanike Xheni Runi, që bazohet në historinë e një ish-spiune britanike të KGB-së”- tha ajo.

Në kuadër të këtij panairi do të shënohet edhe 100-vjetori i lindjes së at Zef Pllumit dhe 100-vjetori i vdekjes së Franz Kafkës.

Panairi do të mbyllet më 09.06.2024 në ora 19:00.

Panairi i Librit ‘Prishtina 2024” organizohet nga SHBK-ja me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.

 

Panairi i Librit ‘Prishtina 2024’. Foto: KALLXO.com.
Panairi i Librit ‘Prishtina 2024’. Foto: KALLXO.com.

 

Panairi i Librit ‘Prishtina 2024’. Foto: KALLXO.com.