Gjykata e Prizrenit e liron nga akuza përmbaruesen private Saranda Kuçi
Gjykata e Prizrenit e ka liruar nga akuza të pandehurën Saranda Kuçi, e akuzuar për veprën penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare.
Në aktgjykimin e shpallur më 05.06.2024, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, tha se nuk është provuar se e akuzuara e ka kryer veprën për të cilën akuzohej.
Sipas dosjes së Prokurorisë, e akuzuara Saranda Kuçi nga data 17.12.2019 e në vazhdim, në Suharekë, në cilësinë e përmbarueses private për territorin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.
Prokuroria pretendon se gjatë ndërmarrjes së aktiviteteve përmbarimore e pandehura ka shkelur afatin paritiv për përmbushje vullnetare të detyrimit, me ç’rast nuk i njofton të dëmtuarit E.M. dhe N.M. lidhur me detyrimet që i kishte lëshuar kreditorja S.S.
Tutje, potencohet që e akuzuara duke mos zbatuar ligjin nuk i ka njoftuar të dëmtuarit asnjëherë për urdhrin për pagimin e shumës prej 4 mijë e 498 euro.
Në shkresat e lëndës thuhet që e njëjta ka vendosur shitjen e parcelës kadastrale të të dëmtuarve në ankand publik dhe pa i njoftuar për këto veprime.
Kujtojmë që e pandehura në fjalë ishte akuzuar edhe në vitin 2021 për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në akuzë thuhej se më 22 dhjetor 2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për procedurën përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh. G., nga fshati Studenqan, komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman” duke qenë pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan.
Ndërsa, në vendimin e shpallur nga Gjykata më 25.07.2023, me kryetaren e trupit gjykues Raima Elezi, e akuzuara Saranda Kuçi ishte liruar nga akuza.
Gjykata kishte konsideruar se akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk ishte provuar.
Ashtu siç u cek, Gjykata konsideroi se vepra e tillë nuk ishte provuar edhe për akuzën e dytë të ngritur nga Prokuroria për veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.