Foto: KALLXO.com

Nënshkruhet marrëveshje me OJQ-të kosovare që do të avokojnë për çështjen e të drejtave pronësore

25 organizata lokale, të financuara nga Banka Botërore e të mbikëqyrura nga organizata ATRC, do të fillojnë avokimin për çështjen e të drejtave pronësore në Kosovë.

Programi trevjeçar ka për synim që të informojë gratë, të rinjtë dhe personat e ndjeshëm lidhur me çështjen e të drejtave pronësore, procedurat për regjistrimin e tyre dhe informacione lidhur me trashëgiminë.

Ky projekt, në të cilin bën pjesë edhe Balkan Investigative Reporting Network (BIRN), synon që të përmirësojë qasjen përpos në informacion edhe në këshillimin në 27 komuna të Kosovës, me theks të veçantë në zona rurale, komuna multietnike dhe komuna me përbërje pakice.

“Projekti synon të përmirësojë qasjen në informacion dhe këshillim për gratë, të rinjtë dhe personat e ndjeshëm në Kosovë. Projekti përfshin  27 komuna, zona rurale, komuna me komunitet pakicë dhe komuna mulitetnike”- tha Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv në ATRC.

BIRN do të përfshihet në 7 rajone të Kosovës, ku do të mbajë sesione për ngritjen e kapaciteteve te gratë në burgje, do të mbahen takime informuese me zyrtarë të kadastrit, noterëve, me përmbarues e gjeodetë dhe me gazetarë.

Nisma për të drejtën pronësore – PIAKOS parasheh një fushatë të ndërgjegjësimit, me ç’rast do të takohen rreth 6,500 qytetarë, derë më derë, për t’i njoftuar për të drejtat pronësore dhe për t’u dhënë këshilla juridike lidhur me përpilimin e dokumentacioneve për regjistrimin e pronave të paluajtshme.

Si organizata lidere dhe partnerë në këtë program janë BIRN, që do të angazhohet në rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe agjencive të pavarura në nivel qendror, “KLGI” dhe “SHPRK”, të cilat do të angazhohen për vetëdijesimin derë më derë për ndihmë juridike, PENI dhe YMCA me aktivitete për të rinj, Shoqata e të verbërve dhe Shoqata e të shurdhërve me kampanjën derë më derë me target personat me vështirësi në dëgjim dhe në të shikuar, dhe GLPS më kampanjën e monitorimit të gjykatave dhe raportimit nga fusha.

Shënim: Ky artikull është edituar në pjesën ku flitet për emrat e organizatave. Koha e editimit: 05.06.2024, ora 22:52.