Katër qytetarë nga Kosova arrestohen në Shqipëri për trafikim të armëve të zjarrit - VIDEO

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se ka arrestuar katër qytetarë nga Kosova në Shqipëri nën dyshimin e trafikimit të armëve të zjarrit.

Në këtë rast, nga ana e Policisë janë sekuestruar 10 armë zjarri, teksa destinacioni i armëve është thënë se ishte Tirana e qëllimi ishte që të shiten.

Policia ee Shtetit tha se gjatë operacionit, në vend-parkimin e një terminalit të autobusëve në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit B.K., 28-vjeçar, B.Sh., 20-vjeçar, E.Th., 25-vjeçar dhe M.K., 20-vjeçar, të gjithë banues në Kosovë.

Policia ka thënë se shtetasi B.K. dyshohet se kishte vënë në autobusin me drejtues shtetasin E.Th. një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.

Tutje Policia tha se shtetasi B.K. në bashkëpunim me shtetasin M. K. kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.

Policia shtoi se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500 deri në 3000 euro.

“Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste” – tha Policia e Shtetit.

Tutje u shtua se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë, e se materialet i kaluan Prokurorisë.