Shefi i Operacioneve i Policisë së Kosovës: Në 24 orët e fundit ka pasur përforcim të barrikadave

Drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për gjendjen e sigurisë në komunat e veriut të Kosovës pas vendosjes së barrikadave.

Hoxha ka thënë se në 24 orët e fundit ka pasur përforcim të barrikadave.

Sipas tij, gjatë këtyre 24 orëve janë regjistruar shtatë detonime.

“Gjatë 24 orëve të fundit Policia e Kosovës bazuar nga informacionet që ka pranuar, vazhdon të jetë një situatë e brishtë e sigurisë duke i ditur shkaqet dhe arsyet. Gjatë 24 orëve të fundit kemi pasë dikund shtatë detonime që janë raporte në veriun e Kosovës në lagje të caktume. Dhe ka qenë një përforcim i barrikadës në Jagnjenicë, në komunën e Zubin Potokut”- ka thënë Hoxha.

Sa u përket detonimeve, ai ka thënë se bëhet fjalë për “shock bomba”.

“Ne i konsiderojmë këto “shock-bomba” apo bomba shpërthyese që kemi mujtë me i ekzaminu nuk mund t’i quajmë totalisht mjete plasëse por janë bomba që kanë për qëllim për të krijuar panik, terror dhe shqetësim të qytetarët”- ka thënë tutje ai.

Më 18 dhjetor, dhjetëra serbë kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë (brenda territorit serb) “në mbështetje të serbëve të Kosovës”.

Disa prej tyre kanë tentuar t’i afrohen pikës kufitare, por janë penguar nga forcat e Njësive Speciale të Policisë serbe.

Ndërkaq, në pikën kufitare të Jarinjës gjendeshin policët e Kosovës, e pak metra më në brendi të territorit të Kosovës forcat e KFOR-it kishin vendosur një postbllok dhe tela me gjemba.

Situata në veri të Kosovës është e tensionuar që nga 10 dhjetori.

Atë ditë, grupe qytetarësh serbë janë mbledhur në qytetet në veri të vendit për të protestuar kundër arrestimit të Dejan Pantiqit, ish-polic i Kosovës, i akuzuar nga autoritetet e Kosovës për organizim të sulmeve kundër zyrtarëve të KQZ-së dhe të Policisë së Kosovës.

Grupet e serbëve, pjesë e të cilëve janë edhe persona me maska e madje edhe me armë, kanë bllokuar rrugët kryesore drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për çështje sigurie, Policia e Kosovës ka mbyllur për qarkullim këto dy pika kufitare.