ShBA dëbon 12 diplomatë të misionit rus në OKB
Dymbëdhjetë anëtarë të misionit diplomatik rus në Kombet e Bashkuara kanë marrë kërkesë për t’u larguar nga Shtetet e Bashkuara deri më 7 mars, për shkak të përfshirjes në aktivitete jodiplomatike.
“Këtyre diplomatëve që u është kërkuar të largohen nga Shtetet e Bashkuara, janë përfshirë në aktivitete që nuk kanë qenë në përputhje me përgjegjësitë dhe obligimet që kanë si diplomatë”, ka thënë zëvendësambasadori amerikan, Richard Mills, për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, pa dhënë hollësi tjera.
Mills ka thënë se atyre u është kërkuar të largohen “në mënyrë që të mos dëmtojnë sigurinë kombëtare të vendit nikoqir”, duke shtuar se vendimi është marrë në përputhje të plotë me marrëveshjet e selisë së OKB-së.
ShBA nuk e ka lidhur drejtpërdrejt dëbimin me pushtimin në Ukrainë, mirëpo zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se Uashingtoni do të flasë më shumë për dëbimet së shpejti.