Qytetari Besart Ramadani para objektit të Gjykatës së Prishtinës, Dega në Fushë Kosovë, pak minuta para dorëzimit të padisë me objekt diskrimini kundër Komunës së Fushë Kosovës. Foto | Flaka Fazlija - Kallxo.com

VIDEO - Qytetari me aftësi të kufizuara padit Komunën e Fushë Kosovës

Pamundësia që i riu me karrocë Besart Ramadani t’i kryejë në mënyrë të pavarur dhe pa u rrezikuar obligimet e tij të përditshme ka bërë që i njëjti ta padisë Komunën e Fushë Kosovës.

Krejt kjo sepse sipas tij trotuaret në rrugë, objektet shëndetësore dhe hapësira të tjera nën menaxhimin e komunës nuk i përmbushin kushtet infrastrukturore për qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Vështirësitë për lëvizje që i kanë personat me aftësi të kufizuara në këtë komunë, sipas tij janë të dukshme.

“Me sy të lirë nëse e hedhim një shikim përreth mund të shihet kaosi dhe sa sa të vështirë e kemi ne përdoruesit e karrocës” – shprehet Besart Ramadani.

Ai tregoi se para se të drejtohej në gjykatë i kishte parashtruar kërkesë kryetarit të Komunës, Burim Berisha.

“Unë personalisht i kam bërë një kërkesë kryetarit për rregullimin e infrastrukturës dhe qasjes për persona me aftësi të kufizuara edhe kam marrë një përgjigje joadekuate dhe jo precize për atë që unë kam kërku ‘po ne gjithmonë kemi punuar dhe jemi duke punuar për personat me aftësi të kufizuara, dmth nuk i kemi lënë anash’, por asgjë konkrete për kërkesat e mia… pastaj e kam pa të arsyeshme me ushtru padinë” – ka thënë sot para objektit të Gjykatës së Fushë Kosovës pak minuta para dorëzimit të padisë Besart Ramadani.

Përmes padisë së ushtruar po kërkohet dëmshpërblim në vlerën 13,000 Euro.

Avokatja Latife Neziri tha se qëllimi kryesor i padisë ka të bëjë me vetëdijesimin e institucioneve për respektimin e obligimeve ligjore për qasje për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.

“Qëllimi kryesor i padisë është vetëdijesimi i institucioneve publike për me bo ndryshime” – tha ajo.

KALLXO.com provoi të marrë një qëndrim nga Komuna e Fushë Kosovës lidhur me këtë çështje.

Zyrtarë të saj prapa kamerës thanë se do të përgjigjen përmes e-mailit. Por deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

I kontaktuar përmes telefonit, kryetari i komunës, Burim Berisha tha se për këtë çështje do të deklarohet ditën e premte.

Përmes padisë me objekt mbrojtje nga diskriminimi, ndalim të trajtimit diskriminues qytetari ka parashtruar disa kërkesa.

Ai ka kërkuar 13 000 euro dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar material për shkak të nevojës për ndihmë nga personi tjetër, shpenzimeve të rritura të transportit, në emër të vuajtjeve fizike dhe psikike/ dhimbjeve shpirtërore, për shkak të përjetimit të frikës dhe ekspozimit ndaj rrezikut, turpërimit, cenimit të integritetit e privatësisë.

Ai ka kërkuar që Gjykata ta vërtetojë se Komuna e Fushë Kosovës qoftë me veprim apo mos veprim e ka diskriminuar Besart Ramadanin duke ia shkelë të drejtën për qasje fizike në trotuarin përgjatë rrugës Beteja e Bardhit, objektin shëndetësorë në Bresne dhe duke mos ndarë parkingje të veçanta për personat me aftësi të kufizuara në parkingje publike.

Gjithashtu ka kërkuar që Komuna e Fushë Kosovës t’i eliminojë të gjitha veprimet diskriminuese të cilat shkelin ose mund të shkelin të drejtën e paditësit sa i përket qasjes në të ardhmen.

Një hulumtim i Kallxo.com i vitit 2023 ka zbuluar se asnjë institucion publik nuk i respekton në tërësi obligimet ligjore për krijimin e qasjes për kategorinë e personave me aftësi të kufizuara.

KALLXO.com kishte raportuar në shtator të 2022, se qytetari Faruk Mujka, përdorues i karrocës kishte paditur Komunën e Prishtinës.

Qyteti i automjeteve që nuk gjen vend për ‘një karrocë’