
Ismail Kadare në Fushë Kosovë.
Ismail Kadare, qytetar nderi i Fushë Kosovës
Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare është shpallur qytetar nderi i Fushë Kosovës.
Përveç titullit qytetar nderi, një shkollë dhe biblioteka e qytetit të Fushë Kosovës do të mbajnë emrin e tij.
Titulli qytetar nderi Kadaresë iu dorëzua nga kreu i kësaj komune, Burim Berisha.
I lumtur me vlerësimin që iu bë, Kadare u shpreh do ta kujtojë për jetë nderimin që iu bë nga qytetarët e Fushë Kosovës.
“Jam shumë i lumtur për këtë festim prekës që tregon se me sa këmbëngulje njeriu shqiptar e ka ngritur në qiell dashurinë e tij, fisnikërinë e tij qytetërimin evropian. Këto çaste do të ngelin të paharrueshme në jetën time”- tha Kadare.
Ndërsa, Burim Berisha, kryetar i Komunës së Fushë Kosovës tha se Kadare përfaqëson gjithçka për popullin shqiptar.
“Kadare ka qenë frymëzimi ynë, gjuha e kënga jonë, gjithçka kemi e mësuar nga ia, një popull i tërë është rritur me veprën e tij” – tha Berisha, duke shtuar se një rrugë dhe biblioteka e qytetit të Fushë Kosovës do të mbajë emrin e Kadaresë.
Kadare po qëndron në Prishtinës si i ftuar nderi i Panairit të Librit “Prishtina 2023”.
Një ditë më parë, Kadare u dekorua me urdhrin “Hasan Prishtina” nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ismail Kadare është një prej shkrimtarëve shqiptarë më të njohur në botë. Krijimtaria e tij letrare është përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
Ai është nderuar me shumë çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.