Ilustrim - Policia në aksion

Djalit të kandidatit për kryetar të Fushë Kosovës i vidhet vetura para shtëpisë

Një veturë e tipit BMW me ngjyrë të bardhë në vlerë rreth 13 mijë euro është vjedhur para shtëpisë së kandidatit për kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha.

KALLXO.com mëson se vetura është vjedhur dy ditë më parë rreth orës 19:00 në Sllatinë, ndërsa menjëherë ishte njoftuar edhe Policia e Kosovës.

“Viktima ka raportuar se nga personi, persona të panjohur i është vjedhur vetura e tij me targa vendore. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke e hetuar rastin”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës të ditës së djeshme.

Në anën tjetër në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në deklarimin e pasurisë së kandidatit për kryetar të Fushë Kosovës, Burim Berisha figuron edhe vetura BMW e tipit 320 i vitit 2013, vlera e së cilës  është 18 mijë e 445 euro e cila është deklaruar në emër të Berishës.

KALLXO.com ka tentuar që të marrë një deklaratë në lidhje me këtë çështje edhe nga vet kandidati Berisha, por deri në publikim të këtij shkrimi i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në telefon dhe nuk ka kthyer përgjigje në mesazhet e dërguara.

Guri Berisha, djali i Burim Berishës në një deklaratë për KALLXO.com ka konfirmuar se vetura i është vjedhur, ndërsa shkurt shtoi se policia janë duke u marrë me rastin.

“Jo deri më tani nuk ka ndonjë person të identifikuar, policia është duke u marrë me rastin. Vetura ka qenë në emër timin e kam blerë para disa viteve”, tha Guri Berisha përmes telefonit.