Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Fushë Kosovës premtojnë ndërtimin e shkollave të reja

Kandidatët për kryetar të Fushë Kosovës, në Debat Pernime kanë shpalosur planet e tyre për lehtësimin e klasave të shkollave në këtë komunë, për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Bajçinca ka thënë se kanë planifikuar ndërtimin e dy shkollave të reja.

“Klasa me shumë nxënës është e vërtetë që ka në shkollën “Mihail Grameno”, tash në objektet ekzistuese që janë ndërtuar besoj se do ta lirojnë. Në të ardhmen do të bëhen objekte shkollore në pajtim apo me dinamikën e ardhjes së punëtorëve të rinj, ka mundësi që disa investorë ndërtues privat që ndërtojnë, të japin hapësirë për shkollë dhe pastaj të përfitojnë bonuse”, u shpreh ai.

Bajçinca ka shtuar se nuk kanë planifikuar mësim gjithëditor, por dixhitalizim të arsimit.

Ndërkaq, kandidati nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Berisha tha se aktualisht në Fushë Kosovë janë mbi 11 mijë nxënës.

Sipas tij, në vazhdimësi shtohet numri i nxënësve.

“Vijnë gjithnjë e më shumë nxënës dhe mirë është që vijnë sepse ka shumë gjallëri, perspektivë dhe ardhmëri edhe për sport pastaj dhe për gjëra tjera. Do t’i bëjmë edhe dy shkolla, tri i kemi bërë për katër vite”, tha ai.

Berisha ka shtuar se  përveç në shkollën “Mihail Grameno” që në ndonjë klasë ka numër të madh të nxënësve në shkolla të tjera nuk ka 45 nxënës me një klasë.

“Kjo është bërë temë veç hajt ta them. Në asnjë fshat nuk ka numër 45 të nxënësve. Po kthehem në qytet, jemi duke i zvogëluar, duke i bartur klasat”, tha Berisha.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Fushë Kosovë: Burim Berisha nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Enver Bajçinca nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Burim Berisha ka siguruar 49,72% të votave, kurse Enver Bajçinca nga LVV ka marrë 25,58%.