Sfidat e Hanit të Elezit me sigurinë publike

Komuna e udhëhequr nga Mehmet Ballazhi këtë vit ka në dispozicion një buxhet prej mbi 3 milionë euro. Për t’i kontribuar sigurisë publike, Komuna e Hanit të Elezit ka ndarë një shumë prej 10 mijë euro për t’i ndriçuar hapësira publike. 

Për t’i luftuar dukuritë negative në komunitet, këtë vit kjo Komunë ka planifikuar një buxhet prej 7 360 euro për rregullim të kamerave në disa pjesë. 

“Kamerat e sigurisë janë planifikuar në shumën 7360 euro për rregullim të kamerave në hyrje të lokaliteteve të komunës së Hanit të Elezit duke përfshirë vendbanimin e Hanit të Elezit dhe hyrjet në fshatrat kryesor të komunës së Hanit të Elezit, gjithashtu me këtë procedurë është planfikuar që të funksionalizohen edhe në objektin brenda komunës” – kanë thënë nga Komuna e Hanit të Elezit. 

Mirëpo, theksojnë se kanë bërë kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për t’u subvencionuar projektin për kamera, por shtojnë se nuk kanë marrë përgjigje. 

“Për njoftimin tuaj kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të subvencionuar këtë projekt për kamera mirëpo nuk kemi marrë përgjigje nga kjo ministri” – ka thënë Liridona Ballazhi, zyrtare për media. 

KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur më këtë cështje.

Por sipas përgjigjes së tyre, një kërkesë nga Komuna e Hanit të Elezit nuk ka arritur në adresë të departamenti për Standarde dhe Politika të Inxhinieringut dhe Menaxhimit të Ndërtesave Qeveritare

“Në DSPIMNQ/MPB, nuk ka arritur një kërkesë e tillë” – thuhet shkurt në përgjigjen e MPB-së. 

Pas kësaj, KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga Komuna e Hanit të Elezit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Në anën tjetër, edhe në Han të Elezit kur flitet për sigurinë publike përmenden qentë endacak. 

Ndonëse kjo një problematike, Komuna e Hanit të Elezit thotë se nuk kanë buxhet të dedikuar për këtë çështje. 

Krahas kësaj, shtojnë se për shkak të buxhetit të limituar, ju mbesin edhe projekte pa realizuar. 

“Problemi i qenve endacak është problem në të gjithë Kosovën, e po ashtu edhe në Komunën e Hanit të Elezit, ku nuk na lejohet të marrim asnjë masë si Komunë, por as nuk kemi buxhet të dedikuar për këtë çështje, shkak i buxhetit mjaft të limituar që kemi si komunë e vogël ku shpesh edhe na mbesin projekte pa realizuar” – ka thënë Liridona Ballazhi, zëdhënëse e Komunës së Hanit të Elezit. 

Në një mbledhje të Këshillit Komunal për siguri në Bashkësi në janar të vitit 2023, është theksuar nevoja për trajtimin e qenve endacak, por duke potencuar “se është çështje e nivelit qendror”. 

“U theksua nevoja për intervenim në sinjalistikën horizontale dhe shenjat informuese në segmentet rrugore, vendkalimet e këmbësorëve si dhe vend ndalesat e transportit të nxënëseve.

Çështja e qenve endacak vazhdon të mbetet shumë aktuale por se fatkeqësisht pa ndonjë propozim konkret nga se kjo çështje është e nivelit qendrorë” – thuhet në njoftimin e Komunës së Hanit të Elezit të publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Komuna e Hanit të Elezit ka angazhuar në Qendrën për Punë Sociale një psikologe për dy muajn ë vitin 2022, pra në muajin nëntor dhe dhjetor ndërsa tani nga muaji mars ka angazhuar një psikologe me 6 muaj kontratë. 

Po ashtu në bashkëpunim me Kompaninë Sharrcem, Drejtoria e Arsimit ka angazhuar një psikologe shkollore për një vit, pra shtator 2022 deri shtator 2023.

Sipas procedurave në e-prokurim, Komuna e Hanit të Elezit më datën 6 mars 2023 ka nënshkruar kontratë për angazhimin i një psikolog/e për nevoja të Qendres për Punë Sociale.

Vlera e kontratës është 1,680 euro. Kohëzgjatja është gjashtë muaj. 

Të dhënat nga ky sistem i prokurimit tregojnë se në muajin mars Komuna e Hanit të Elezit ka shpallë një tender për ndriçim publik në zonën urbane dhe rurale.

Më 1 mars 2023 është nënshkruar kontrata për mirëmbajtjen e ndriçimit publik në zonën urbane dhe rurale.  Vlera e këtij tenderi është 9,940 euro.