Sërish para gjykatës, i akuzuari se pa vlerësim shiti për hekur automjetet e kompanisë

Senad Rama, ish-anëtar i Bordit të Drejtorëve të kompanisë “Eco Higjiena”, ka dalë sot sërish para gjykatës nën akuzën për keqpërdorim detyre.

Rama, sipas prokurorisë ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16 mijë e 249 euro.

Aktakuza thotë se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale, ndërsa shitja e tyre e kishte dëmtuar kompaninë për 64 mijë e 327 euro.

Gjykata e Gjilanit, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza Senad Ramën, por Gjykata e Apelit në maj të vitit 2019 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim pas ankesës së Prokurorisë.

Seanca e sotme lidhur me këtë rast, megjithatë dështoi për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues, Veli Kryeziu.

“Anëtari i  trupit gjykues Veli Kryeziu, gjendet në udhëtim jashtë vendit, pasi kishte për të bërë një kontroll shëndetësor, andaj nuk ka kushte ligjore për seancën e sotme”, tha kryetari i trupit gjykues Aziz Shaqiri.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Engjëll Rexhepi tha se ka vërejtje në shtyrjen e kësaj seance.

“Neve po na duhet prej Prishtinës me ardhë dhe vetëm me pa që seanca nuk mbahet, kisha kërkuar me mirëkuptim që vetëm me na njoftu paraprakisht nëse seancat nuk mbahen. I mbrojturi im ka qenë në Austri dhe ka ardhur nga atje vetëm për seancën e sotme”, tha avokati Rexhepi.

Për shkak të mungesës së gjykatësit Veli Kryeziu, seanca e sotme u shty për datën 6 prill.

Detaje nga gjykimi ndaj Senad Ramajt i akuzuar për shitjen e automjeteve të `Eco Higjienës` për skrap